Trump porosit kryediplomatin amerikan të “mos humbasë kohën me Korenë e Veriut”

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, bëri të ditur se i ka thënë kryediplomatit amerikan se po humbet kohën e tij duke u përpjekur të negociojë një zgjidhje diplomatike me Korenë e Veriut.

“Ruaj energjinë tënde Rex, ne do të bëjmë atë që duhet bërë”, ka shkruar Trump në profilin e tij në rrjetin social Twitter, duke iu referuar Sekretarit Amerikan të Shtetit, Rex Tillerson.

Muajin e kaluar gjatë adresimit të tij të parë në Kombet e Bashkuara, presidenti i SHBA-ve nuk u mendua gjatë, por kërcënoi Korenë e Veriut me “shkatërrim total”.

Ndërkohë të shtunën në Kinë, Tillerson pranoi se SHBA ka kanale diplomatike me Korenë e Veriut, vend me të cilin nuk ka marrëdhënie formale. Ai tha se SHBA kërkon të përcaktojë nëse Pyongyang-u zyrtar do të jetë i gatshëm të marrë pjesë në bisedime.

Departamenti Amerikan i Shtetetit më vonë shtoi se Koreja e Veriut “nuk ka treguar asnjë shenjë” se është e gatshme të marrë pjesë në negociatat mbi denuklearizimin e kërkuar për një afat kohor të Gadishullit Korean.

“I thashë Rex Tillerson-it, sekretarit tonë të mrekullueshëm të Shtetit, se po humbet kohën e tij duke u përpjekur të negociojë me Little Rocket Man (Njeriun e vogël raketë)”, tha Trump, duke përdorur nofkën e tij për udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jon-un.

Koreja e Veriut është duke u përballur me sanksione të forta nga SHBA-të, si dhe me ndëshkim të fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare pas lëshimeve të përsëritura të raketave dhe testeve bërthamore.

Testi i gjashtë bërthamor i 3 shtatorit nga Pyongyang-u, u ndoq me miratimin e rezolutës së nëntë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që nga viti 2016, që shtrëngoi më tej sanksionet ndërkombëtare mbi vendin.

Shekulli Agency