Prishtinë, tryezë diskutimi për transformimin e FSK-së në ushtri

Organizata joqeveritare Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë organizoi tryezën e diskutimit me temë “Si të procedojmë me formimin e ushtrisë?”, e cila ka për qëllim të mbledhë aktorët kryesorë për të diskutuar të ardhmen e Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Kryetari i Komisionit për Siguri dhe Punë të Brendshme dhe deputeti nga radhët e partisë opozitare Aleanca për Ardhmëri të Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, tha se për ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së në ushtri kërkohet votimi i shumicës së dyfishtë, duke theksuar se ai vetë personalisht është përpjekur që t’i bind deputetët e Listës Serbe.

Ai tha se deputetët pa dallim i kanë dhënë përkrahje një debati parlamentar që FSK-së ti ndërrohet mandati dhe misioni, që nënkupton që t’i mbetet emri i njëjtë por me kapacitete tërësisht ushtarake.

Kurse deputetja nga partia në pushtet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Vjosa Osmani tha se janë shterrur të gjitha mundësitë për t’i bindur deputetët serbë për këtë ndryshim. Në pyetjen se sa ka Kosova mështetjen e partnerëve në baza bilaterale, Osmani tha se shtetet e rajonit si Kroacia dhe Shqipëria me një letër drejtuar NATO-s kanë përkrahur formimin e ushtrisë dhe se Serbia është shteti i vetëm i cili që nga fillimi ka qenë kundër.

Ajo po ashtu theksoi se Kosova duhet t’i marrë këto vendime vetë dhe jo të ndikohen ato nga Serbia. Duke theksuar se ky ndryshim duhet të bëhet me anë të diskutimeve të hapura publike në komuna dhe universitete, Osmani tha se kjo do të bëjë që qytetarët serbë të kuptojnë se transformimi i FSK-së nuk i bën ata më pak të sigurt.

Rexhep Selimi, deputeti nga radhët e partisë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, tha se partnerët janë në mbështetje të transformimit të FSK-së, por me kushtin e koordinimit, i cili sipas tij ka munguar.

”Askush nuk e ndalon sot FSK-në të jetë më e avancuar, më e pajisur dhe të jetë operacionale në të gjithë vendin. Pra nga të njëjtit protagonistë që kërkojnë nganjëherë edhe fajtor nuk po vjen edhe përgjegjësia për mos zbatimin e kushtetutës dhe mos zbatimin e ligjit në fuqi që ka të bëjë me FSK-në”, tha Selimi.

Ndërkaq, Kadri Kastrati ish-komandanti i FSK-së dhe anëtar i partisë në pozitë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha se Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj, por duke shtuar se nevojiten dhjetë vite për të arritur kapacitetin e plotë.

Ndryshe, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi më 7 mars ia dorëzoi kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli projektligjin për transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës. Kurse një ditë më pas ky projektligj u procedua nga kryesia e Kuvendit të Kosovës për në Qeveri dhe pritet që së shpejti të kthehet në Kuvend.

Shekulli Agency