Disa të rinj në qytetin historik të Prizrenit kanë hequr një flamur turk i cili po qëndronte i varur në një shtyllë.
Në një video të dërguar në mediat kosovare, shihet se si këta të rinj heqin flamurin turk nga shtylla, duke thënë se “Kjo festë është e jona”. Në video po ashtu shihet se të rinjtë kanë shkelur dhe kanë shqyer flamurin turk.
Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe Partia Demokratike e Turqve të Kosovës (KDTP). KDTP dënon ashpër këtë sulm ndaj flamurit të Turqisë, i cili ka ndodhur në prag të festës së 9 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.
“Flamuri turk, përveç se është flamuri i shtetit të Turqisë, është edhe i turqve të Kosovës. Flamujt janë prej pikave kryesore të cilat bashkojnë dy popujt”, thuhet në njoftim nga KDTP.
Kjo parti po ashtu kërkon identifikimin e sa më shpejtë të autorëve të këtij akti si dhe dënimin e sa më shpejtë të tij nga zyrtarët shtetërorë.
“Në një ditë kaq të rëndësishme ne nuk po mund t’i japim kuptim këtyre sulmeve ndaj një shteti mik dhe një komuniteti konstruktiv turk. Duke iu uruar të gjithë kosovarëve ditën e pavarësisë, si komunitete presim që në gjithë vendin të ketë më shumë respekt dhe tolerancë”, thuhet së fundi nga KDTP.
Ndërkaq, një ngjarje e ngjashme kishte ndodhur edhe në muajin nëntor të vitit të kaluar, në Festën e Flamurit, ku ishte hequr flamuri turk dhe po ashtu ishte bërë një sulm ndaj Konsullatës së Përgjithshme të Turqisë në Prizren.