Zgjidhet çështja e murit në veri të Kosovës

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç pajtohen për zgjidhjen e çështjes së murit në Mitrovicën Veriore, e cila sipas tyre do të ulë tensionet në veriun e Kosovës.

Në një komunikatë të përbashkët nga Zyra e Kryeministrit bëhet e ditur se me lehtësimin e Zyrës së BE-së si dhe të Ambasadës së SHBA-ve, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiç janë pajtuar që të zgjidhin çështjen e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore.

“Së bashku, ne kemi arritur një zgjidhje, e cila do të ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës”, thuhet në njoftim.

Më tej bëhet e ditur se gjatë ditëve në vijim do të njoftohet publiku lidhur me planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, e cila buron nga marrëveshja në kuadër të dialogut të BE-së, që ka të bëjë me projektin e BE-së për rivitalizimin e urës së Ibrit.

“Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë ne kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet së fundi në njoftim.

Ndryshe, në muajin dhjetor të vitit të kaluar në pjesën veriore të Mitrovicës, përkatësisht prapa urës së Ibrit u ngrit një mur i cili sipas Qeverisë së Kosovës ishte ilegal, meqë nuk parashihej në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian për revitalizimin e urës kryesore të lumit Ibër.

Ndërkaq ky mur shkaktoi reagime të shumta, ku në seancën e 29 dhjetorit të 2016 të Kuvendit të Kosovës ishte miratuar rezoluta për rrënimin e murit në veri të Mitrovicës, sipas të cilit rrënimi i tij pritej të ndodhte brenda muajit janar.

Shekulli Agency