BE vendos Greqinë në krye të listës për shkallën e papunësisë

Greqia ka shkallën më të lartë të papunësisë në Eurozonë, flasin të dhënat e publikuara të martën nga Eurostati.

Ndonëse shkalla e papunësisë në Eurozonë në dhjetor të vitit 2016 ka qenë 9.6 për qind, matjet e bëra në fundi të tetorit flasin se Greqia ka shkallën e papunësisë prej 23 për qind, e ndjekur nga Spanja me 18 për qind.

Në Greqi, më të prekur kanë qenë të rinjtë të moshës nën 25-vjeçare me 44 për qind nga totali i të papunëve, ose 114.000 individë.

Numrat e lartpërmendur paraqesin një zbutje të vogël nga viti 2015, atëherë kur mbi gjysma e të rinjve grekë ishin të papunë, shkalla më e lartë në Evropë për papunësinë tek të rinjtë.

Shifrat e publikuara të martën flasin se papunësia në Evropë shënon rënie, megjithatë shtetet që përballen me vështirësi, siç janë Greqia dhe Spanja vazhdojnë të demonstrojnë shkallë të lartë të papunësisë.

Në bazë të të dhënave zyrtare të publikuara në shtator të vitit 2016, mbi 330.000 grekë kanë braktisur vendin prej kohës kur vendi u kaplua nga kriza financiare në vitin 2010.

Nga ana tjetër, Banka e Greqisë thotë se vendin në fakt e kanë lëshuar mbi 420.000 shtetas, pohim ky që nuk është komentuar nga zyrtarët.

Shekulli Agency