Trump ndalon pranimin e refugjatëve nga Siria

Me një dekret presidencial të nënshkruar ditën e djeshme nga presidenti amerikan Donald Trump u ndalua pranimi i refugjatëve sirianë deri në një urdhër të dytë, si dhe u pezulluan për 4 muaj aplikimet e të gjithë refugjatëve.

Shtëpia e Bardhë ka njoftuar për dekretin presidencial “i cili kufizon pranimin e refugjatëve në vend dhe i cili sjell procedura të rrepta të sigurisë për vizat e emigrantëve”, dekret ky i cili ka shkaktuar debate prej kohësh në opinionin publik në SHBA.

Dekreti presidencial “mbrojtja e vendit nga hyrja e terroristëve të huaj në SHBA” të cilën Trump e nënshkroi ditën e djeshme gjatë vizitës në Pentagon ndalon pranimin e refugjatëve nga Siria deri në një urdhër të dytë.

Ky dekret sjell në vëmendje situatën e refugjatëve sirianë të cilët vazhdojnë procedurat e vizave ose që janë duke hyrë në vend.

Për 4 muaj nuk ka pranim të refugjatëve

Ndërsa bëhet e ditur se është pezulluar për 120 ditë “programi i pranimit të refugjatëve” i realizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Pas përfundimit të afatit të caktuar do të fillojë pranimi i refugjatëve nga vendet për të cilat do të merret një miratim i përbashkët vetëm nga Departamenti për Çështjet e Brendshme, Departamenti Amerikan i Shtetit dhe nga drejtori i shërbimeve inteligjente.

Ndërsa edhe numri i refugjatëve që do të pranohen në Shtetet e Bashkuara në vitin fiskal 2017 është reduktuar nga 110 mijë në 50 mijë.

Në kuadër të të njëjtit dekret theksohet se në SHBA nuk do të pranohen për 30 ditë me radhë ato që vijnë nga vendet të cilat “Mendohet të jenë të lidhura me terrorizmin”, ku dhe brenda kësaj kohe do të merren edhe masa shtesë. Teksa në tekst nuk përmenden drejtpërdrejt emrat e shteteve theksohet se këto vende do të jenë Iraku, Libia, Irani, Sudani, Somalia dhe Jemeni.

Një tjetër pikë që tërheq vëmendjen në tekst është se ata që nuk janë emigrantë në SHBA në aplikimin për vizë do të duhet që të gjithë një e nga një të marrin pjesë në intervistë. Në mesin e temave që ka ngjallur kuriozitet është nëse gjatë intervistës së detyruar do të pyeten apo jo për besimin fetar personat që do të aplikojnë për vizë.

Donald Trump në një intervistë të dhënë ditën e djeshme në kanalin Christian Broadcasting Network (CBN) në përgjigje të një pyetjeje ishte shprehur se “do t’iu japë përparësi refugjatëve të krishterë që vijnë nga Lindja e Mesme”.

Njoftohet se në dekretin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë nuk ka qenë e përfshirë pika për “krijimin e zonave të sigurta në Siri”, që ka qenë e përfshirë në projekt dekretin e prezantuar më parë për opinionin publik. Në lidhje me këtë temë presidenti Trump në intervistën e tij të parë për televizionin ABC ishte shprehur se “Patjetër që në Siri do të krijoj zona të sigurta për popullin e Sirisë. Për mendimin tim Evropa ka bërë një gabim të madh që ka pranuar miliona njerëz në Gjermani dhe në vendet e tjera”.

Shekulli Agency