Politikat aktuale të BE-së dhe Maqedonisë për punësimin e të rinjve

Republika e Maqedonisë ka nevojë për një qasje të re e cila të rinjve të vendit do t’ju mundësojë përkrahje në përpjekjet e tyre për punësim, ishte konstatimi i përgjithshëm në konferencën me temë “Politikat aktuale të BE-së dhe Maqedonisë për punësimin e të rinjve”, të cilën e organizoi koalicioni i Organizatave Rinore, raporton (AA).

Siç tha organizatori i eventit, koalicioni “Tani” në periudhën e kaluar ka organizuar një sërë diskutimesh me të rinjtë në nivel lokal dhe nacional për tu njoftuar nga afër me nevojat e të rinjve.

“Nevojitet një qasje e re, në mënyrë që të rinjve tu sigurohet përkrahje, pasi ata janë një kategori specifike”, deklaroi drejtori i koalicionit “Tani”, Zoran Ilievski. Sipas tij vetëm përmes analizimit të nevojave të tregut të punës do të mund të arrihet sukses në punësimin e të rinjve, por kjo paraprakisht kërkon prodhimin e kuadrit i cili do të jetë në harmoni me kërkesat e tregut.

Udhëheqësja e sektorit për punësim në Agjencinë për Punësim, Sllobodanka Aleksovska vuri në dukje se me anë të masave qeveritare për punësim që filluan 10 vjet më parë, janë punësuar 160 mijë të rinj.

“Në mundësinë e fundit ligjore, ‘Maqedonia punëson 1 dhe 2’, pjesëmarrja e të rinjve ka qenë më e madhja pasi janë punësuar 18.900 persona dhe 4.200 persona, nga të cilët 2.600 janë të rinjtë”, tha ajo.

Aleksovska tha më tej se Agjencia ofron trajnime të ndryshme dhe mbikualifikime të të rinjve, nga të cilat vlen të përmendet trajnimi në aftësitë IT ku mund të aplikojnë personat të moshës deri 29-vjeçare.

Ata të cilët do ta përfundojnë me sukses pajisen me diplomë të Microsoftit.

Shekulli Agency