Bashkëpunimi Turqi-Maqedoni do të vazhdojë në fushën e arsimit

Ministri pa Resor i Republikës së Maqedonisë, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Turke në Maqedoni (TDP), Beycan Ilyas, sot ka realizuar takim me Këshilltarin e Arsimit në Ambasadën e Turqisë në Shkup, Tamer Sevim.

Sipas një njoftimi nga kabineti i ministrit pa Resor të Maqedonisë, në takim është diskutuar në lidhje me anulimin nga Turqia të marrëveshjes reciproke për pranimin e diplomave të nivelit të lartë midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Turqisë.

Në njoftim thuhet se Këshilltari i Arsimit i Ambasadës së Turqisë në Shkup ka shpalosur detajet në lidhje me çështjen, duke theksuar se asnjë student nuk do të jetë i dëmtuar nga kjo gjendje.

“Këshilltari i Arsimit bëri të ditur se meqë bëhet fjalë për dy marrëveshje paralele në mes të dy shteteve, njëra është anuluar, ndërsa e vlefshme do të jetë Marrëveshja e Lisbonës për Njohjen dhe Barasvlerësimin e Diplomave, e cila është konstatuar të jetë marrëveshje më transparente dhe më e hollësishme dhe e cila është nënshkruar nga 36 shtete, në mesin e të cilave ndodhen edhe Maqedonia dhe Turqia. Bashkëpunimi midis dy shteteve në fushën e arsimit do të vazhdojë pa probleme, kurse nga kjo gjendje nuk do të dëmtohet asnjë student”, thuhet në njoftimin e Ministrisë pa Resor të Republikës së Maqedonisë.

Nga kabineti i ministrit pa Resor të Maqedonisë thonë se njoftimi në fjalë është bërë me qëllim që të mënjanohen informacionet e pavërteta në platformat virtuale dhe të njoftohen studentët relevantë në lidhje me çështjen.

Reagimi vjen pas raportimit të disa mediave të Maqedonisë se diplomat e nivelit të lartë të Maqedonisë, nuk do të njihen nga Turqia, pasi kjo e fundit shfuqizoi marrëveshjen për pranimin e diplomave mes dy vendeve.

Shekulli Agency