Trump firmos dekretin për ndërtimin e murit në kufirin SHBA-Meksikë

Presidenti amerikan, Donald Trump me qëllim “parandalimin e emigrantëve ilegalë” dhe “rritjen e sigurisë kufitare” njoftoi se ka nënshkruar dekretin i cili parashikon ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën.

Trump i cili ka folur gjatë vizitës së kryer në Departamentin e Sigurisë së Brendshme ka njoftuar se ka nënshkruar dekretin presidencial në lidhje me “ndërtimin e murit në kufirin me Meksikën”, çështje kjo e cila diskutohet prej muajsh në opinion amerikan.

Duke theksuar se me murin që do të ndërtohet në kufirin SHBA-Meksikë synohet parandalimi i emigrantëve ilegalë, trafikimi i qenieve njerëzore dhe drogës, Trump është shprehur se “Amerika që nga dita e sotme rimerr kontrollin e kufijve të saj.”

Ai ka shtuar se ndërtimi i murit i cili parashikohet të jetë afërsisht me një gjatësi 3.200 km do të financohet fillimisht nga buxheti i qeverisë federale dhe ka vënë në dukje se këto para do të mblidhen nga qeveria e Meksikës.

Për murin i cili planifikohet të fillojë së ndërtuar brenda disa muajve nuk është bërë ndonjë deklaratë në lidhje me afatin e përfundimit të tij.

Në një deklaratë në lidhje me këtë çështje edhe zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spiceer, është shprehur se “Meksika në një mënyrë apo tjetër do ti paguajë këto para.”

Në dy deklarata të ndryshme me shkrim nga Shtëpia e Bardhë u theksua se Trump ka nënshkruar dekretet në lidhje me “murin në kufirin me Meksikën” dhe “me qytetet që mbrojnë emigrantët ilegalë.”

Me dekretin e dytë Trump parashikon të kufizojë buxhetin federal për rajonet që drejtohen nga guvernatorët demokratë të cilët në përgjithësi refuzojnë propozimin për largimin nga SHBA-ja të emigrantëve që ndodhen ilegalisht në vend.

Ndërsa presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto, më parë shumë herë kishte deklaruar se nuk do të kryenin asnjë pagesë për murin që Trump ka planifikuar të ndërtojë në kufirin mes dy vendeve.

Shekulli Agency