Thaçi: “Zgjidhja më e mirë e kësaj çështjeje do të ishte që muri të eliminohet nga ata që e kanë ngritur”

Presidenti i Republikës së Maqedonisë Hashim Thaçi, mbajti një konferencë për shtyp pas kthimit nga Bruksel, ku së bashku me kryeministrin Isa Mustafa mori pjesë në takimet për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi tha se zhvillimet e fundit, siç i quajti ai “të hidhura me veprime provokative”, kanë bërë që këto takime të jenë të vështira dhe të rënda.

“Mund të them se jam i kënaqur që qëllimi kryesor i këtij takimi që ka qenë ulja e tensioneve dhe shmangja e provokimeve të pa nevojshme është arritur. Mirëpo, na mbetet shumë që të punojmë për normalizimin e plotë të raporteve ndërshtetërore. Për ne ka qenë shumë e rëndësishme që të flasim hapur dhe të kërkojmë nga Serbia ndalimin e veprimeve, që siç e dimë si rezultat kanë pasur destabilizimin e situatës politike dhe të sigurisë në Kosovë”, deklaroi Thaçi.

Sipas presidentit Thaçi, gjatë takimeve është arritur një mirëkuptim nga të dy palët për uljen e tensioneve dhe për rritjen e seriozitetit në përkushtimin e procesit të dialogut.

“Të dy palët, përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë jemi dakorduar se dialogu nuk ka alternativë. Një dakordim tjetër mes palëve të përfshira ka qenë edhe gadishmëria për intensifikimin e takimeve të nivelit të lartë politikë dhe ne si përfaqësues të Kosovës kemi shprehur dhe shprehim edhe sot gadishmërinë tonë që ta japim kontributin maksimal dhe konstruktiv në këtë aspekt”, tha Thaçi.

Duke vënë në dukje se tani dialogu ka arritur në fazën përfundimtare, Thaçi u shpreh se ky proces duhet të ketë një rezultat përfundimtar të normalizimit të marrëdhënieve të plota. Sipas tij, kjo mund të arrihet nëpërmjet negociatave me ndërmjetësimin e Bashkimin Evropian.

“Vetëm një marrëveshje e tillë është garancë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Është garancë për procesin e integrimeve evropiane. Është garancë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe me theks të veçantë për të dy vendet në Bashkimin Evropain, ndërsa për Kosovën edhe në NATO”, u shpreh Thaçi.

Presidenti i Kosovës poashtu vuri në dukje se Kosova do të mbetet e përkushtuar tërësisht në respektimin e zotimeve të marra nga takimi i mbrëmshëm dhe shprehu shpresën se edhe Beogradi do t’i respektojë në tërësi edhe zotimet për uljen e tensioneve, edhe zotimet për mos veprime provokuese në raport me Kosovën.

Ndërkaq, sa i përket çështjes së murit në veri, Thaçi u shpreh se zgjidhja më e mirë e kësaj çështjeje do të ishte që muri të eliminohet nga ata që e kanë ngritur. “Por sido që të jetë autoritetet kosovare kanë përgjegjësi për ta respektuar rezolutën e Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

Ndryshe, në takimin e mbrëmshëm në Bruksel, të ndërmjetësuar nga përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, nga pala serbe morën pjesë presidenti Tomislav Nikoliq dhe kryeministri Aleksandar Vuçiq.

Shekulli Agency