MAQEDONI/ Qeveria e re, takimet mes liderëve mbesin “sekrete”

Takimi i kryetarit të VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, por edhe i kreut të opozitës maqedonase Zoran Zaev me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti ende nuk kanë nxjerrë asgjë në sipërfaqe në lidhje me formimin e Qeverisë së ardhëshme. Edhe gjatë ditës së sotme përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së qëndrojnë të pakapshëm për mediat për të treguar nëse ka diçka konkrete rreth negociatave për formimin e Qeverisë mes dy partive, qoftë edhe në nivele të grupeve negociuese.

Pas takimit mes Gruevskit dhe Ahmetit, nga BDI në kumtesën e saj nuk potencuan aspak se kryetari i tyre me mandatarin kanë biseduar rreth formimit të qeverisë, por vetëm potencuan se në fokus të takimit ishte situata aktuale politike dhe bisedë rreth zgjedhjeve. Por ndryshe vepruan nga VMRO-DPMNE, ku anëtari i komitetit të partisë Antonio Milloshovski deklaroi se takimin mes Gruevskit dhe Ahmetit e konsiderojnë si fillim i negociatave për formimin e Qeverisë së re.

Megjithatë, sipas Milloshoskit, VMRO-DPMNE nuk lëviz nga qëndrimet e saj, duke thënë se për ta është e papranueshme dygjuhësia në tërë territorin si dhe vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike.

Pas takimit me Gruevskin, Ahmeti u takua edhe me kreun e LSDM-së Zoran Zaev. Por edhe nga ky takim nuk u tha asgjë konkrete rreth formimit të Qeverisë, në kumtesat pas takimit, të cilat ishin tërësisht të ngjashme. Të dyja partitë kanë informuar se është biseduar për pozicionet e të dyja palëve duke mos biseduar për çështje konkrete.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, ka edhe 9 ditë mandat për të formuar Qeverinë, ndërsa gjithçka ende mbetet larg syve të opinionit.

Shekulli Agency