“Besa”, beteja e vështirë mes arrogancës dhe dinjitetit

Natyrisht Ali Ahmeti nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi për refuzimin e shumë shqiptarëve për ta votuar atë, edhe pse pas vitit 2001 ka qenë ai shpresa që do ta realizonte përmes politikës atë që shqiptarët e fituan përmes përballjes me luftë. Më konkret drejt pranimit të humbjes ishte rivali i tij i deridjeshëm i Ahmetit, Menduh Thaçi, i cili bëri lëvizjen dëshpëruese për të mbetur sërish pjesë e politikës, teksa e pranoi humbjen e tij përmes kalimit të mandateve në dispozicion të Lëvizjes Besa.

Shkruan: Agim BAÇI, Tiranë

Ka një pyetje pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit në Maqedoni, e sidomos pas përpjekjeve të ditëve të fundit të Ali Ahmetit për të marrë në dorë mandatin e shqiptarëve për negociata: a do të vijojnë shqiptarët të bashkëjetojnë me arrogancën ndaj kërkesave të tyre apo do t’i kthehen dinjitetit për të cilën shqiptarët edhe luftuan 15 vite më parë?

Përgjigja duket e vështirë për aq kohë sa partia më e votuar nga shqiptarët mbetet ende BDI, edhe pse e përgjysmuar me rreth 70 mijë vota më pak se në zgjedhjet e fundit. Por, në fakt, pse duket shumë e vështirë të ketë përgjigje për këtë pyetje? Për këtë vlen të shohim që në prononcimet e para fituesin me numër deputetësh në radhët e shqiptarëve, ish shefin e UÇK-së, Ali Ahmetin, i cili në konferencën e parë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit nuk dha asnjë llogari për përgjysmimin e votave, por thjesht shprehu keqardhje se përse faktori shqiptar ishte i përçarë në disa parti. Thjesht, domethënë, Ahmeti shprehu trishtimin që nuk kishte edhe një deputet ose dy më shumë që ta plotësonte mazhorancën për të cilën duket se ka ende gjasa ta bëjë me partnerin e deritanishëm.

Natyrisht Ali Ahmeti nuk mori përsipër asnjë përgjegjësi për refuzimin e shumë shqiptarëve për ta votuar atë, edhe pse pas vitit 2001 ka qenë ai shpresa që do ta realizonte përmes politikës atë që shqiptarët e fituan përmes përballjes me luftë. Më konkret drejt pranimit të humbjes ishte rivali i tij i deridjeshëm i Ahmetit, Menduh Thaçi, i cili bëri lëvizjen dëshpëruese për të mbetur sërish pjesë e politikës, teksa e pranoi humbjen e tij përmes kalimit të mandateve në dispozicion të Lëvizjes Besa.

Situatën dëshpëruese lidhur me pozicionin e ardhshëm të shqiptarëve e bëjnë njëkohësisht lëvizjet e kreut të Lëvizjes Reforma-PDSH, Zijadin Sela, ose edhe ndonjë deputeti të PDSH-së, që duket se janë gati tashmë t’i afrohen Gruevskit dhe Ahmetit në bashkëqeverisje. Sela ka ditur të artikulojë pas zgjedhjeve kushte ndaj maqedonasve më shumë sesa BDI-ja, por njëkohësisht është vënë në një betejë edhe me Lëvizjen Besa, duke u rreshtuar në frontin e atyre zërave që duan të shikojnë tek liderët e kësaj lëvizjeje një lidhje vetëm me elementin fetar (nënkupto këtu: elementin anti-emigrim, siç u munduan rëndom t’i cilësojnë gjatë fushatës).

Ky zë mbështetës i Selës dhe BDI-së, për të konsideruar “Besën” si përfaqësuese e vetëm muslimanëve ose të lidhur me Erdoganin, janë në një unison të opinioneve, jo vetëm në Shkup, për paraqitjen e besimtarëve si kundërshtarë të integrimeve euro-atlantike. Por, në fakt, ky do të mbetet një iluzion i stisur nga keqdashja, për aq kohë sa nuk ka asnjë sondazh që të ketë ndodhur në Shqipëri, në Kosovë apo në Maqedoni, për të parë se cilin integrim e mbështesin muslimanët shqiptarë. Ky hamendësim pa prova po tenton të krijojë një iluzion keqdashës dhe me pasoja negative për të gjithë. Por, në Maqedoni, BDI-ja dhe lëvizja e Selës, duke theksuar marrëdhënien që kanë me besimtarët liderët e lëvizjes Besa, kërkojnë t’u japin ngjyra radikalizmi. Ky qëndrim i BDI-së, e deri diku edhe i Selës, janë afërsisht të kuptueshme politikisht, po të kemi parasysh se trendi është për një mbështetje ndaj një lëvizjeje që përkrah vlerat dhe traditat e shqiptarëve, sidomos ato karakteristika që kanë mbajtur të paprekshëm asimilimin e tyre përballë politikës shoviniste të sllavëve. Këtë dështim përballë mbrojtjes së vlerave dhe traditës së shqiptarëve duket se e pranoi vetëm Menduh Thaçi, i cili iu bashkëngjit një lëvizjeje që tashmë duket se po kandidon për të qenë zëri që kërkojnë shqiptarët.

Megjithatë, beteja është vetëm në nisje të saj. E nëse BDI-ja ose Sela kanë treguar se janë në kalkulime pushteti, për Besën duket se shtrohet për zgjidhje beteja që ka të bëjë me një komunikim të ri me shqiptarët. Të votuar si kundërshtarë të arrogancës së derisotme, Lëvizja Besa duhet ta ruajë e konsiderojë opsionin e duhur politik për të cilën kanë nevojë shqiptarët. Kushtet për ridefimin e sistemit kushtetues, për Prokurorinë Speciale Publike dhe për shmangien e të inkriminuarve në ngjarjet tashmë të bëra publike, janë një kusht që përputhet me votën që u është besuar. Ajo që do ta tolerojnë dhe ajo që do ta mbrojnë, do të jetë edhe karta me të cilën do të japin llogari me shqiptarët, pasi që pas 11 dhjetorit ata janë tashmë pjesë e përgjegjësisë morale për atë që e fitojnë dhe humbin shqiptarët në shtetin e tyre, ku ndërtojnë përditshmërinë e tyre.

…Të gjitha këto kalkulime mes shqiptarëve nuk kanë pse varen nga rezultati në Tearcë, por nga aftësia e tyre për t’i dhënë fund arrogancës ndaj shqiptarëve nga mazhorancat maqedonase.

Shekulli Agency