Rritet numri i viktimave nga virusi i gripit në Shqipëri

Një tjetër person ka humbur jetën nga virusi i gripit në Shqipëri, duke e rritur në 5 numrin e viktimave për këtë vit.

Rasti i fundit është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe bëhet fjalë për një fëmijë.

“Ministria e Shëndetësisë informon se për pacienti me inicialet B. Z., i datëlindjes 06/05/2014, lindur në Lezhë, ekzaminimi nga Instituti i Shëndetit Publik konfirmoi që pacienti ishte i prekur nga virusi i gripit stinor. Edhe pas trajtimit në Reanimacionin e Shërbimit të Pediatrisë, pacienti ka ndërruar jetë në orët e para të mëngjesit të datës 17.01.2017. Ky është rasti i pestë i konfirmuar nga Ministria Shëndetësisë për persona që kanë ndërruar jetë, të cilët, përveç sëmundjeve të tjera, kanë rezultuar të prekur edhe nga virusi i gripit të stinës”, thuhet në njoftimin e MSH-së.

Kujtojmë se për disa ditë me qëllim kufizimin e mëtejshëm të përhapjes së virusit të gripit në vend, Ministri i Shëndetësisë urdhëroi mbylljen e çerdheve, kopshteve, institucioneve të arsimit parauniversitar dhe universitar, ndërsa procesi mësimor filloi dje.

Shekulli Agency