Pesë pikat e pasuksesshme të administratës Obama

Presidenti amerikan Barack Obama, i cili ka dështuar në çështjet si Siria, Iraku, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, paqja në Lindjen e Mesme dhe Guantanamo

Presidenti amerikan Barack Obama, i cili ka dështuar në çështjet si Siria, Iraku, lufta kundër terrorizmit ndërkombëtar, paqja në Lindjen e Mesme dhe Guantanamo, do t’i lë një trashëgimi të keqe presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili do ta nis zyrtarisht detyrën më 20 janar.

Obama, mandati tetëvjeçar i të cilit do të përfundojë pas ceremonisë së dorëzimit të detyrës që do të mbahet ditën e premte në kryeqytetin amerikan Washington, ka qenë shënjestër e kritikave nga shumë qarqe për politikat e tij të pasuksesshme në pesë pika në të cilat nga ai priteshin hapa të rëndësishëm.

Gjatë mandatit presidencial të tij, Obama ka fituar pëlqim për performancën e tij në disa fusha, megjithatë, qeverisja e tij është konsideruar e pamjaftueshme në disa fusha të tjera. Ai ka hasur në kritika brenda vendit dhe nga shtetet aleate për politikat në lidhje me Sirinë dhe Lindjen e Mesme veçanërisht gjatë mandatit të dytë.

Lufta civile në Siri

Politikat “pasive” dhe “të pavendosura” që Obama ka zhvilluar gjatë luftës civile në Siri në të cilën jetën e kanë humbur afër 500 mijë persona, duket sikur do të mbahen mend si veprimet më të këqija gjatë mandatit të tij presidencial.

Fakti që ende nuk është gjetur zgjidhje për krizën e Sirisë përderisa ajo po hyn në vitin e saj të gjashtë dhe që ende nuk është asgjësuar rreziku nga DEASH-i, vlerësohet si reflektim i mosefikasitetit të politikës së Washingtonit zyrtar për Sirinë.

Obama, nga i cili bota islame dhe liderët e Lindjes së Mesme kanë pasur pritshmëri të mëdha që nga ardhja e tij në krye të SHBA-ve në vitin 2009, zgjodhi që t’i ndjekë në mënyrë të “distancuar” aq sa mundi zhvillimet në Sirinë e cila u lëkund me “Pranverën Arabe”.

Megjithëse në gusht të vitit 2012 Obama deklaroi se “armët kimike janë vija jonë e kuqe”, ai nuk ndërmorri asnjë hap edhe përkundër faktit se u dëshmua që në vitet 2013-2014 në Siri disa herë janë përdorur armë kimike.

“Kriza në Siri do ta ndjekë nga prapa Obamën”

Nadir Hashimi, kryetari i Qendrës për Punime të Lindjes së Mesme dhe profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Denverit, në një vlerësim për AA-në tha: “Ashtu sikurse masakrat në Bosnjë dhe Ruanda para 20 viteve e ndoqën nga pas administratën e Bill Clintonit, njashtu edhe kriza në Siri do ta ndjekë nga pas Obamën pas largimit nga detyra. Gjendja do të ishte më ndryshe sikur disa gjëra të bëheshin në kohë. Në fund, qindra mijëra njerëz humbën jetën”.

Ndërkaq, Murhaf Jouejati, ekspert në Institutin e Lindjes së Mesme (MEI), ‘Think tank’ me qendër në Washington, në një deklaratë për AA kritikoi qasjen e Washingtonit ndaj Sirisë. “Është e paqartë se si Obama është bindur se diplomacia e tij do të funksionojë (në Siri). Ajo që është e qartë është se, në një kohë kur ekzistonte mundësia për t’u rrëzuar, regjimi i Asadit mori mbështetjen joushtarake të Perëndimit”, tha ai.

Administrata Obama po ashtu kishte shpërfillur rekomandimet e Turqisë për krijimin e zonës së sigurisë pas intervenimit të Rusisë dhe Iranit në favor të regjimit të Asadit. Në këtë pikë po ashtu administrata e Obamës u akuzua për “veprim të pamjaftueshëm për mbrojtjen e civilëve”.

Iraku në prag të luftës civile

Në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008, Obama siguroi votat duke e ndërtuar politikën e jashtme për Lindjen e Mesme në premtimin për “përfundimin e luftës në Irak, ndërkohë që edhe pas tetë viteve në krye të detyrës, ai lë trashëgimi një Irak i cili pothuajse ndodhet në prag të luftës civile.

Në prill të vitit 2007 gjatë fushatës zgjedhore, Obama ka thënë se “Mendoj se jemi një nënshkrim larg përfundimit të luftës në Irak”. Pas tetë viteve në detyrë, ai nuk u ka shpëtuar kritikave se nuk i ka dhënë fund dhunës në vend dhe se e ka “dorëzuar vendin nën ndikimin e Iranit”.

Administrata Obama, e cila ushtarin e fundit nga Iraku e tërhoqi në vitin 2011, ka shpërfillur ose nuk ka dashur ta përfillë rrezikun e “ndarjes sektare” që po rritet në vend e që bëhet e vërejtur nga politikat çdo ditë e më shumë shiite të qeverisë së Nuri el Malikit.

Mbështetja për organizatën terroriste PYD dhe retorika e luftës kundër terrorizmit

Administrata Obama, e cila në çdo rast ka theksuar se rreziku më i madh i sigurisë së saj kombëtare është organizata terroriste DEASH, në një mënyrë kontradiktore me retorikën e luftës gjithëpërfshirëse kundër terrorizmit, i ka dhënë mbështetje zgjatimit të organizatës terroriste PKK në Siri, PYD/YPG.

Fakti që Washingtoni zyrtar nuk përkrahu mjaftueshëm opozitarët e moderuar në Siri dhe u mbështet në masë të madhe te PYD-ja në luftën kundër DEASH-it, shkaktoi tensione të reja në marrëdhëniet turko-amerikane.

SHBA-të kanë dhënë mbështetje të madhe në armë dhe municione për Forcat Demokratike Siriane (FDS), partnerit të madh të YPG-së, që është njësia e armatosur e PYD-së, duke mos i përfillur kështu shqetësimet e Turqisë për sigurinë kombëtare.

Rrjedhimisht, shefja e Byrosë në Bejrut të gazetës Washington Post, Liz Sly, në artikullin “Ndihma ushtarake e SHBA-ve po ushqen ambiciet e mëdha të milicëve majtistë kurdë në Siri” të botuar në gazetë, tërhoqi vëmendjen duke thënë se “Forcat e PYD-së përbëjnë tre të katërtën e koalicionit FDS dhe në këtë mënyrë nga ndihma ushtarake amerikane më së shumti përfiton PYD”.

Paqja në Lindjen e Mesme

Duke shfaqur po ashtu ngritje dhe ulje edhe në çështjen e paqes në Lindjen e Mesme përgjatë dy mandateve të tij, Obama reflektoi një pamje “të dobët”.

Gjatë ardhjes në detyrë Obama kishte premtuar zgjidhje me dy shtete për problemin mes Izraelit dhe Palestinës. Ndërkaq, ai hodhi hapa të kundërta me premtimet e tij veçanërisht në mandatin e dytë, kurse sulmet izraelite në Gaza në korrik të vitit 2014 i cilësoi si “e drejtë për vetëmbrojtje”.

Në të njëjtën mënyrë, ndihma më e madhe ushtarake u realizua gjatë administratës së Obamës. Ai nënshkroi marrëveshje për ndihmë ushtarake në vlerë prej 38 miliardë dollarësh për Izraelin, duke komentuar se “marrëdhëniet tona dypalëshe janë të palëkundshme”.

Guantanamo nuk u mbyll

Një nga premtimet e rëndësishme gjatë fushatës zgjedhore të Obamës në vitin 2008 ishte edhe “mbyllja e burgut në Guantanamo”. Ai nuk pati sukses në mbajtjen e këtij premtimi brenda periudhës tetëvjeçare derisa ushtroi detyrën.

Obama, i cili numrin e të burgosurve në Guantanamo e ka zvogëluar gradualisht dhe në çdo rast ka thënë se dëshiron mbylljen e tij, si justifikim për mosmbylljen e burgut i ka paraqitur Republikanët në Kongres. Megjithatë, një pjesë e opinionit publik amerikan e akuzon Obamën për mos-shfrytëzim të të gjitha kompetencave të tij ligjore për mbylljen e Guantanamos.

Shekulli Agency