Thaçi: Kosova mbetet e përkushtuar për dialog dhe paqe

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi shprehet i kënaqur për shmangien e tensionimit të situatës politike dhe të sigurisë në rajon, duke ndaluar hyrjen eventuale ilegale të trenit propagandistik të Serbisë në territorin e Kosovës.

Në një shkrim në rrjetin e tij social, Facebook, i pari i vendit ka thënë se Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, duke vënë në dukje se për këtë qëllim janë hapur vendkalimet kufitare të reja me fqinjët dhe janë arritur marrëveshjet që mundësojnë kalimin e kufirit vetëm me letërnjoftim.

Ndërkaq, Thaçi ka theksuar se në periudhën e fundit Serbia ka ndërmarrë një fushatë të provokimeve me qëllim të prodhimit të tensioneve në Kosovë dhe rajon, “si pjesë e një skenari të vjetër”.

“Pjesë e këtij skenari ishte edhe shndërrimi i trenit në mjet propagandues, duke e veshur me mesazhe dhe fotografi që kishin për qëllim provokimin dhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe që ishin në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe konventat evropiane e ndërkombëtare. Për të ndaluar këtë skenar, autoritetet e Kosovës vlerësuan se është në interes të paqes dhe stabilitet në rajon që të mos lejohet hyrja ilegale e trenit propagandues. Prandaj, organet e rendit dhe sigurisë morën masa që të pengohet cenimi i integritetit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës nga autoritetet e Serbisë”, ka shkruar Thaçi.

Ai po ashtu shpreson që autoritetet e Serbisë e kanë kuptuar se veprimi i tyre ka qenë ilegal dhe në kundërshtim me frymën e dialogut dhe bashkëpunimit të promovuar në rajon.

“Kërcënimet e autoriteteve të Serbisë se janë të gatshëm për luftë dhe për të dërguar forcat ushtarake në Kosovë, flasin qartë se qëllimet e Serbisë janë të njëjta me ato të regjimit të Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta. Këto kërcënime për luftë janë të papranueshme, në kundërshtim me dialogun për normalizim të marrëdhënieve dhe rrezikojnë drejtpërdrejtë paqen në Ballkanin Perëndimor”, ka shtuar Thaçi.

Ai bëri thirrje që “përkundër gjuhës kërcënuese dhe provokuese të Serbisë”, të vazhdohet në rrugën e dialogut, bashkëpunimit, zbatimit të marrëveshjeve të arritura mes dy shteteve dhe normalizimit të plotë të marëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova, si gjithmonë, mbetet e përkushtuar për dialog dhe bashkëpunim në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka shtuar së fundi Thaçi.

Ky postim i Thaçit ka ardhur sot, pas ngritjes së tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, për shkak të prezantimit të linjës hekurudhore Beograd – Mitrovicë nga e ashtuquajtura Zyra e Qeverisë së Serbisë për Kosovë. Me rastin e nisjes së trenit nga Beogradi për në Mitrovicë, në afërsi të vendkalimit kufitar Jarinjë ka patur përforcim nga forcat e Policisë së Kosovës dhe njësitet speciale ROSU.

Pasi që treni i cili u ndalua në Rashkë, e cila ndodhet rreth 10 kilometra larg kufirit Kosovë-Serbi në Jarinë u kthye përsëri në Beograd. Pas kësaj filloi edhe tërheqja e pjesëtarëve të forcave kosovare të sigurisë. Linja e rregullt e trenit në relacionin Beograd – Mitrovicë nuk qarkullon nga viti 1999.

Shekulli Agency