Gashi në “Arena”: Ahmeti s’ka kredibilitet për të unifikuar shqiptarët

Ali Ahmeti nuk e ka më kredibilitetin e një lideri shqiptar që mund t’i ftojë shqiptarët në unifikim. Kështu ka deklaruar deputeti i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi në pyetjen se përse Lëvizja BESA nuk shkoi në takimin e thirrur nga lideri i BDI-së. Gashi shtroi pyetjen se pse Ali Ahmeti nuk e bëri unifikimin kur i kishte 153 mijë vota të shqiptarëve, dhe pse menjëherë pas konfliktit të vitit 2001 nuk arriti ta realizojë unifikimin kur edhe duheshte më shumë, por në vend të kësaj e themeloi BDI-në si parti politike!

“Cila është arsyeja që ne të ulemi me një tavolinë nëse në ditët në vijim në rend dite në Kuvendin e Maqedonisë vjen ligji për zyrtarizimin e shqipes në gjithë territorin e Maqedonisë, s’kemi nevojë pse të ulemi, ne thjeshtë e votojmë atë ligj. Përcaktimet programore tonat dhe të partive tjera shqiptare janë të qarta. Ne mund të ulemi për artikulim ose për ndonjë çështje për të cilën kemi dallime. Ky është shtrembërimi që i bëhet opinionit, se gjoja ne po mblidhemi për ta artikuluar çështjen shqiptare në Maqedoni. Nuk bëhet fjalë për çështje kombëtarë, bëhet fjalë për mundësi për të gjetur rrugë se si të shkohet te Gruevski”, ka deklaruar deputeti i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi në emisionin “Arena” në TV SHENJA.

Sipas tij BDI-ja është bashkëfajtore për të gjitha dështimet që u kanë ndodhur shqiptarëve në të kaluarën dhe ajo parti nuk mund të amnistohet nga kjo. Ai vlerëson se shqiptarët në çdo qeveri e kanë pasur mundësinë t’i kushtëzojnë maqedonasit.

“Nëse ka ndonjë situatë ideale, ka qenë viti 2014. Opozita maqedonase jashtë Kuvendit, BDI-ja me 153 mijë vota me 20 deputetë dhe e kishte mundësinë që ta kushtëzojë Gruevskin me çfarë të dojë, dhe atëherë ai nuk do të bënte Qeveri, por ata në vitin 2014 jo që shkuan pa kushte, bile bile plotësuan kushtet e Gruevskit që ua kishte vendosur. Siç është votimi i stemës, që deshtën të na e bëjnë stemën me luan, madje ftuan analistë e historianë nga Shqipëria duke dashur të na bindin se luani i VMRO-së qenka edhe luan shqiptar”, tha më tej ai.

Gashi ka thënë se BESA nuk merr pjesë në Qeveri me njerëz të inkriminuar, pa u pranuar koncepti për RIDEFINIMIN e shtetit, dhe bisedimet për formimin e Qeverisë të jenë transparente për opinionin dhe të afatizuara.

Enis Murtezi /SHENJA/

Shekulli Agency