Rivotimi në Tearcë nuk ndryshon rezultatin zgjedhor: 51 mandate për VMRO-DPMNE, 49 për LSDM

Sipas KSHZ-së, LSDM-ja në Tearcë grumbulloi 245 vota, ndërsa VMRO-DPMNE-ja 149 vota, që nënkupton se nuk do të ketë ndryshim në numrin e mandateve

Sipas informacioneve të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nga numërimi i rezultateve të rivotimit në vendvotimin 2011 në Tearcë, numri i mandateve të fituara nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit nuk do të ndryshojë, VMRO-DPMNE mbetet me 51 mandate, ndërsa LSDM me 49 mandate të fituara.

Sipas KSHZ-së, LSDM-ja në Tearcë grumbulloi 245 vota, ndërsa VMRO-DPMNE-ja 149 vota, që nënkupton se nuk do të ketë ndryshim në numrin e mandateve. BDI, PDSH dhe Aleanca për Shqiptarët morën nga 1 votë, ndërsa VMRO për Maqedoninë mori 2 vota.

Pavarësisht rritjes së dukshem të pranisë policore, procesi i votimit në Tearcë u zhvillua pa incidente. Venvotimi u hap në kohë, në ora 7 të mëngjesit. Rreth orës 9 ka pasur ndërprerje 15 minutëshe për çka është njoftuar KSHZ dhe janë sjellë dy llamba UV të tjera dhe votimi ka vazhduar. Vendvotimi është mbyllur në ora 19:00.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) mori vendim që të përsëritet votimi në këtë vendvotim në bazë të simulimit me të cilin u tregua se rivotimi mund të ndikojë në numrin e mandateve të fituara, si dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Administrative që ta pranojë padinë e Koalicionit të kryesuar nga LSDM-ja dhe të sjellë vendim për prishjen e votimit të këtë vendvotim.

Në vendvotimin 2011 në Tearcë, në Listën zgjedhore janë regjistruar gjithsej 714 votues, prej të cilëve të drejtën e votës sot e shfrytëzuan 402 qytetarë, ndërsa më 11 dhjetor të këtij viti 404 qytetarë.

Sipas rezultateve fillestare të KSHZ-së, në Njësinë zgjedhore 6, më shumë vota fitoi BDI (40.599), pastaj pason VMRO-DPMNE me 26.135, LSDM me 25.828, BESA me 25.054, Aleanca për Shqiptarët 17.970, PDSH 16.225, VMRO për Maqedoninë 919 dhe Koalicioni për Ndryshime dhe Drejtësi – Blloku i Tretë 239 vota.

Sipas votave të fituara, më shumë deputetë, gjegjësisht 6 ka fituar BDI, VMRO-DPMNE 4, BESA 3, LSDM 3, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH nga 2 deputetë.

Ndryshe, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të këtij viti, sipas rezultateve fillestare të KSHZ-së, VMRO-DPMNE fitoi 51 mandate, LSDM 49 mandate, BDI 10 mandate, BESA 5 mandate, Aleanca për Shqiptarët 3 mandate dhe PSDH fitoi 2 mandate.

Shekulli Agency