Thaçi: Muri në veri nuk do të ekzistojë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi sot iu adresua deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ku iu drejtua kuvendit me një fjalim vjetor. Me këtë rast, deputetët e opozitës nuk ishin të pranishëm në seancë.

Gjatë fjalimit të tij, Presidenti Thaçi foli për fushëveprimtarinë e tij, sidomos në ruajtjen e pavarësisë, sovranitetit dhe të integritetit të Kosovës, si dhe në ruajtjen e të drejtave të qytetarëve dhe të ligjit dhe rendit të këtij vendi.

Ai foli për punën e bërë për ndryshim-plotësimin e Kodit penal dhe progresin e shënuar në fushën e drejtësisë në Kosovë, sidomos në aspektet e krimeve të luftës dhe pasluftës, sulmeve të trashëgimisë kulturore dhe historike si dhe të viktimave të luftës civile, ku theks të veçantë i kushtoi të pagjeturve dhe viktimave të dhunës seksuale.

Thaçi foli edhe për punën e reformës elektorale, e cila do të sigurojë qytetarët se vota e tyre nuk mund të humbet dhe të manipulohet, si dhe për punën e këshillit kombëtar kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke theksuar se luftimi i tyre janë prioritet i lartë i këtij vendi.

Presidenti Thaçi bëri të ditur se gjatë vitit ka vizituar edhe pikën kufitare në Jarinë, në mes të Kosovës dhe Serbisë, në veri të Leposaviqit, ku shprehu bindjen se puna dhe përkushtimi i policisë dhe të doganës së Kosovës bën që sovraniteti i Kosovës të mos cenohet nga askush.

“Kosova është një, e pandashme dhe nuk do të ketë barrikada e as mure. Por vetëm ura që na bashkojnë. Muri nuk do të qëndroj aty e as kund tjetër. Muri nuk do të shkurtohet, e as nuk do të zvogëlohet, nuk do dialogohet e as nuk do të negociohet me askënd, por do të hiqet nga baza, nuk do të ekzistojë fare”, tha ai.

Sipas tij, sfida më e madhe e Kosovës për këtë vit ishte mosmbajtja e zotimeve të dhëna para partnerëve ndërkombëtarë, sidomos në themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe në miratimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

“Kjo marrëveshje është e drejtë sipas Kushtetutës dhe interesave të vendit tonë, që do të çonte tutje konsolidimin e integritetit shtetëror. Reagimet kundër kanë dëmtuar më të pafajshmit, qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët ende nuk mund të udhëtojnë të lirë në BE. Reagimi kundër ishte axhendë e interesit të ngushtë politike të injorancës profesionale, e në asnjë rrethanë kauzë kombëtare apo ngadhënjim i argumenteve”, tha presidenti.

Ai foli edhe përfaqësimet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në të cilat sipas tij, është konfirmuar se pavarësia e Kosovës ka sjellur paqe dhe stabilitet në rajon. Ai theks të veçantë i kushtoi edhe pranimit të Kosovës në FIFA dhe UEFA, si dhe pjesëmarrjes së saj në lojërat olimpike, ku vuri në dukje se me medaljen e artë të xhudistet Majlinda Kelmendi, janë hapur dyert për takimet me krerë të shumtë të shteteve të botës.

Ndërkaq, duke folur për vizitat e tij tek familjarët e vdekurve të luftës dhe të pasluftës, si dhe të viktimat të të gjitha komuniteteve, Thaçi tha se me këtë nderim nuk cenon vlerat e lirisë së popullit të Kosovës.

Ai po ashtu foli për themelimin e Gjykatës speciale, ku tha se kjo nuk ka ndodhur për shkak të politikës së gabuar.

“Gjykata speciale nuk është produkt i vendimeve politike të gabuara, nuk duhet të shikohet si ndëshkim, por si avantazh për të vërtetën për Kosovën. Presioni ndërkombëtar për themelimin e saj ka ardhur si rezultat kryekëput i përvojës së keqe në mbrojtjen e dëshmitarëve, pra të kërcënimit apo të vrasjes së tyre”, tha Thaçi.

Së fundmi, presidenti theksoi se Kosova më shumë se të gjitha vendet tjera të Ballkanit perëndimor është duke e vuajtur dhe ka mbetur padrejtësisht krejtësisht e izoluar nga BE-ja në aspektin e lëvizjes në zonën Schengen.

Së fundmi, presidenti theksoi se Kosova më shumë se të gjitha vendet tjera të Ballkanit perëndimor është duke e vuajtur dhe ka mbetur padrejtësisht krejtësisht e izoluar nga BE-ja në aspektin e lëvizjes në zonën Schengen.

Shekulli Agency