Keqpërdorimi i fesë

Bota në të cilën nuk ka më vend për njeriun, për lumturi, për kohën e lirë aktive është botë që duhet të vdesë. Asnjë popull nuk mund të jetojë pa bukurinë. Mbase mundet për një kohë të gjallojë, por kjo është e tëra. Ndërsa ajo Evropë e cila këtu ofron njërën nga fytyrat e saj më të përhershme, pandërprerë largohet nga bukuria. Prandaj ajo rrudhet dhe prandaj do të vdesë nëse paqja për të nuk do të thotë kthim të bukurës dhe nëse në të nuk kthehet bukuria… (Albert Camus)

Shkruan: Ismail BARDHI

Siç e dimë, çdo kohë dhe çdo brez ka qenë i preokupuar me, sipas tyre, probleme të mëdha, ndaj edhe koha jonë është e ngjashme: shohim fotografinë e njeriut që Tekstet e Shenjta sa e lartësojnë aq edhe e tregojnë se ka mundësi të jetë më injoranti dhe më i rrezikshmi ndër krijesat e Zotit. Injoranca e tij ishte kur dëshiroi të bëhej më i madhi, më i dituri, sundues, më i bukuri dhe pranoi rolin e mbrojtësit të Fjalës së Shenjtë, si emanet të përhershëm. Në këtë kohë jemi duke e parë po këtë fotografi të njeriut. Në një bisedë që kisha para disa kohësh u pyeta se kush është fajtor për gjithë këtë “katrahurë” fetare: terrorizmi, “hilafeti”, tradhtia, dyfytyrësia…; përgjigjja ime ishte ajo e njohura ndër ne dhe njëkohësisht më e vërteta: Njeriu! Po e them sërish se njeriu është fajtor për gjithçka, deri sa hesht, deri sa shitet e blihet, deri sa mundohet të merret me të pamundshmen dhe e harron atë të mundshmen. Kjo do të thotë se ai dëshiron të bëhet disi “zot”; por harron se nuk është i thirrur që të bëhet i tillë, ndaj bëhet i pamundshëm.

Vetë fjala keqpërdorim tregon mjaft, pikërisht siç ka ndodhur edhe me Tekstet e Shenjtë, që u keqpërdorën. Kur’ani në një ajet të tij thotë: “… ata që sajojnë gënjeshtra ndaj Allahut, nuk kanë sukses.” (En-Nahl, 116; sipas përkthimit të Salih Ferhat Hoxhës). Kjo është një prej vërejtjeve më të mëdha që i është bërë njerëzimit, që do të thotë se Zoti nuk flet për shpalljet para Kur’anit dhe ndryshimet që janë bërë në to ndryshe nga mënyra që flet për vetë Kura’nin dhe keqpërdorimin e tij, sepse Shpallja është nën hijen dhe mbrojtjen e Zotit. Nëse me kujdes i kthehemi vetvetes në formën e së kaluarës, do të shohim se keqpërdorime në interpretimin, jo në vetë tekstin e Kur’anit, janë bërë edhe nga vetë muslimanët.

Le t’i kthehemi pak të kaluarës dhe ta shohim keqpërdorimin e muslimanëve ndaj kohës, ndaj shkencës, ndaj kulturës, ndaj kuptimit të kombit, ndaj kuptimit të shtetit dhe do të shohim gjëra që mendja e shëndoshë e një njeriu të zakonshëm nuk mund t’i pranojë, e lëre më Fjala e Shenjtë të lejojë një gjë të tillë. Është më se e vërtetë se një numër i besimtarëve dhe “dijetarëve”/alimëve muslimanë kanë sajuar harame e harame, që sot mund të bëhen tema të komedive më qesharake. Një ndër këto, mbase më e dhimbshme, ka qenë se femra nuk duhet shkolluar; se shkenca është pjellë e qoftëlargut; kjo botë nuk ka kuptim, por ne duhet ta njohim vetëm botën tjetër. Për disa anomali të këtij lloji edhe unë jam dëshmitar, ngaqë kam përjetuar dramën e njëjtë: në emër të fesë të dënohet e vërteta dhe e drejta.

Kjo mendësi natyrisht se nuk ka qenë vetëm e jona, por atë mund ta gjejmë edhe në të kaluarën te popujt e tjerë, po të Europës: a thua mund ta harrojmë Inkuizicionin e Kishës; a thua mund ta harrojnë Giordano Brunon dhe ndëshkimin e tij; a thua kemi mundësi ta harrojmë krahasimin e femrës me diçka që nuk është, që i është bërë po në emër të fesë? Nuk është me rëndësi a në emër të asaj islame apo krishtere, por kryesorja është bërë në emër të fesë. A kemi mundësi ta harrojmë përndjekjen që u është bërë çifutëve në emër të Krishterimit, si në kohën e Endelusit ashtu edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore?!? Kjo ka qenë edhe shkak që të krijohet filozofia e dyshimit ndaj fesë, e deri te filozofia ose mendësia e mohimit të fesë, sepse thënia e Niçes është shumë e madhe kur thotë se filozofia nuk e ka vrarë Zotin, por vetë kulti fetar e ka bërë këtë.

Kjo mënyrë e intervenimit në fe pa Zot i ka sjellë kob gjithmonë njerëzimit dhe qytetërimit; sot ne nuk mund ta mbrojmë veten duke u mbështetur mbi të kaluarën tonë, pa u futur në përqindjen e fajësisë dhe kush, sa dhe si është fajtor, por traumat në emër të keqpërdorimit i kanë krijuar një dhimbje të madhe qytetërimit të ardhshëm. Sot ballafaqohemi me atë më të dhimbshmen, se nuk dimë si ta lexojmë historinë, nuk dimë si të krijojmë histori, nuk dimë kujt t’i besojmë dhe të mos i besojmë, nuk dimë çfarë të bëjmë me të tashmen dhe me të ardhmen. Nga njëra anë kemi një forcë të madhe që pandërprerë thërret në “drejtësi”, e në anën tjetër planifikohet më e trishtueshmja për të ardhmen. Asnjëherë në të kaluarën nuk është folur, siç bëhet sot, për shkatërrimin e qytetërimit dhe të njerëzimit; të gjitha burimet tregojnë se me “prodhimet”, keqpërdorimet tona në shkencë, jo vetëm këtë botë në të cilën jetojmë, por mund ta shkatërrojmë nga themeli ndoshta edhe “rrethinën”. Por, sa për të na ngushëlluar, nxitësit e një kërcënimi të tillë na qetësojnë, ngaqë kjo luftë që përgatitet nuk do të zgjasë shumë. E çfarë kërkojmë ne keqpërdorim më të madh se ky lloj keqpërdorimi, ky lloj fjalori, ky lloj mendësie, ky lloj besimi!?!

Në  këtë kontekst, edhe pse nuk duhet të flas për politikën, dhe nuk do ta bëj këtë, gjithsesi duhet të flas për njerëzit që janë në politikë. Shihni vetëm cilat janë premtimet e tyre: aq të shumta janë ato saqë i kapërcejnë të gjitha dimensionet e kohës, hapësirës dhe mendjes, pra janë bërë të padurueshme. Kjo është në vetvete për t’u habitur, por habi edhe më e madhe është se si mundet ne t’u besojmë dhe të kënaqemi me qind për qind mashtrime?!? Sa për ta ilustruar se ku e mbështes këtë mendim, po filloj me shtetësinë tonë: asnjë “lider” politik, qoftë në të kaluarën, qoftë sot, nuk e ka lënë pa thënë “shteti shqiptar”, “trojet shqiptare”, “socializmi shqiptar”, “demokracia shqiptare”!?! Çka na dhanë, çka janë duke na dhënë në të vërtetë: asgjë në krahasim me atë që mund të krahasohet, e lëre më me atë që na është “ofruar”; përpos nënçmimit, poshtërimit nuk kemi asgjë. Aq e dhimbshme është që edhe koka, edhe zemrat e besimtarëve për fat të keq i kanë lejuar vetvetes që t’u besojnë, nënshtrohen ofertave, propozimeve të këtilla; kanë lejuar që edhe feja t’u keqpërdoret. E në fakt ne nuk kërkojmë asgjë më shumë, vetëm zbatimin e drejtësisë.

Kohën e revolucionit marksist-leninist e kishim më lehtë ta kuptojmë, sepse ishim përballë një zullumqari dhe fetarisht disi na “lejohej” ta mbrojmë vetveten si njeri, por pse jo edhe ta ndryshojmë bindjen tonë, ngaqë ajo është e jona dhe e askujt tjetër. Pra, ai sistem disi ishte “i durueshëm” për fjalën keqpërdorim, ngaqë e keqpërdori lirinë dhe e keqpërdori njeriun. Ndaj, e kishim paksa të kuptueshëm ndalimin e fesë: nuk do të shkoni në kishë/xhami; nuk do të bëheni synet; nuk ka Zot; nuk i besojmë Zotit; nuk mund të bëheni të gjithë të pasur; vdekja dhe jeta janë nën kontrollin tonë, ju nuk keni nevojë të mendoni për to e të ngjashme. Mirëpo, ç’të bëjmë me demokracinë, e cila ofron shumëçka, që as ajo vet nuk e di se çfarë ofron. Ajo ofron “liri”, “mosliri”, “dënim/ndërshkim”, “vdekje”, ofron grua/burrë, burrë/grua, ofron martesë me çdokë, ofron zotra pandërprerë, ndalon zotëra pa ndërprerë, krijon “hilafete” të llojllojshme; krijon “sheriate” dhe vdekje në emër të fesë. Faktikisht, siç thashë edhe më sipër, që të dy këto sisteme mundohen të merren me të pamundshmen, kurse harrojnë se ne kemi nevojë për të mundshmen dhe se e mundshmja na është dhënë si “emanet” nga Zoti; ne nuk jemi ata që krijojmë lirinë, që japim lirinë; ne nuk guxojmë të jemi ata që krijojnë fabrika për të prodhuar njeri, por për ta respektuar dhe dashur njeriun.

Keqpërdorimi i fesë na paraqitet edhe nëpërmjet kanaleve televizive, shtypit, internetit etj. Kjo nuk do të thotë se akuzoj dikë tjetër për një gjë të tillë, përpos vetvetes, neve, por edhe kur flas për “ne” mendoj njësoj siç mendon edhe Martin Buber: “nuk ka ne pa ju, dhe ju pa ne”. Në këtë rast nëse e them fjalën se “ne” (muslimanët) jemi fajtorë, do të ishte padrejtësi ndaj asaj që kam në zemrën dhe bindjen time, sepse nuk dëshiroj të mashtrohem dhe t’ju mashtroj, por për këtë “fe” ku kanë humbur të gjitha vlerat mbi të cilat mbështetet ajo, natyrisht se fajtor është vetë njeriu, besimtari, vendi, politika dhe institucionet fetare. Mirëpo, një gjë është me rëndësi të thuhet: të gjitha këto janë bërë me qëllim dhe me vetëdije të pafe; ne e dimë se nuk ka mënyrë më të mirë dhe më të fortë se shpifja, se keqpërdorimi për një qëllim të tillë. Ky keqpërdorim dhe kjo shpifje është shndërruar në diçka që do t’i sjellë kob vetë njeriut dhe mendjes së tij, pavarësisht fesë, besimit dhe racës. Keqpërdorimi është bërë fuqia më e madhe botërore. A thua muslimanët janë të marrë dhe të besojnë se prerja e kokës ka të bëjë diçka me fenë? Ato nuk janë gjë tjetër pos pallavra dhe pjellë që i pjell ajo demokraci që mëton ta zëvendësojë fenë dhe Zotin – pra, njeriu.

Në kulturën tonë shqiptare për fat të keq jemi duke e përjetuar të njëjtin siklet, mendoj në atë se si dhe pse flitet për fenë asisoj e kësisoj, pa u futur në atë se sa jemi dhe sa duhet të jemi besimtarë. Është fakt se ne nuk duhet të jemi besimtarë që ta themi të drejtën, por që duhet të jemi të drejtë për të qenë besimtarë. E te ne ndodh e kundërta: për hir të Enver Hoxhës e mbrojtëm ateizmin e paparë në botë, e shndërruam letërsinë në tmerr të zi; e varfëruam fjalorin në formë të kasaphanes; e mbytëm gëzimin dhe lotin e besimtarit; shkuam aq larg sa që i besuam në formën më të lartë një “njeriu”; u bëmë gaz i botës të çdo lloji; jemi pjesë e veçantë e historisë dhe filozofisë. Kjo mendësi nuk mori fund as me demokracinë: ne sot kemi më tepër demokraci se vetë demokracia; kemi debate që nuk kanë peshë, ngaqë nuk mbështeten mbi të vërtetën; kemi debate pa sintezë, përplot mashtrim dhe nënçmim. Besoj se nuk ka nevojë të argumentohen të gjitha këto, ngaqë këtë e dëshmojnë vetë debatet se kush dhe si jemi, se si shitemi e blihemi: si dhe sa i ka blerë një figurë politike “mendjet” e njerëzve vetëm për ta mbrojtur atë. Kemi “figura” që sa e sa herë në forma të ndryshme janë shitur dhe i kanë mbrojtur mendimet larg bindjes dhe mendjes së vet vetëm për “x” arsye.

Në këtë dimension kemi keqpërdorim të madh; nuk bëhet fjalë këtu për mosdijen, por për “mendjen e robëruar” me çka bëhet keqpërdorim i madh i fesë. Jo vetëm që shumica e “debatuesve” nuk e njohin fenë, sepse njohja, dija, bindja, besimi janë diçka që nuk mund t’i ofrojë askush tjetër pos Librave të Shenjtë, e ata ofrojnë një fe pa fe, ose fe luftarake. Fjala e Zotit nuk ka nevojë për mbrojtje nga zullumqarët, që sot mundohen duke akuzuar një fe ta glorifikojnë një fe tjetër; duke harruar se nuk ka fe më të mirë e më të keqe, ka fe e asgjë tjetër (flas për fenë e shpallur). Dëshmi për këtë është se ata, ose mendja e këtillë, dëshirojnë të manipulojë me fenë, jo për ta mashtruar vetveten, por të tjerët – neve, duke bërë përgatitje për të sajuar armiqësi në të ardhmen, luftë ndërnjerëzore, ndërfetare. Çdo fe që vetveten e promovon duke akuzuar tjetrën, e humb legjitimitetin e burimit të vet. Ne askund nuk mund të shohim një fjalor nga profetët, pra as edhe nga Profeti Muhammed a.s. që flet për fetë e mëparshme në formën larg edukatës së Shpalljes, larg harmonisë dhe kulturës.

Por, çtë bëjmë me fenë, edhe sa do të lejojmë të keqpërdoren feja dhe fetari; e pamë se lufta ndaj fesë është e kotë, e pamundshme nga ana jonë, ngaqë mundësia jonë e vetme është ta pranojmë ose të mos e pranojmë atë, kaq liri kemi ne. Por, problemi më kryesor është se ne fetarët, besimtarët nuk kemi të drejtë të bëhemi pre e një pasigurie të ardhshme. Ne shqiptarët, duke u bazuar mbi “sinqeritetin” tonë mund të themi se jemi të veçantë, dhe mund të bëhemi paradigmë në këtë hapësirë ku akoma nuk është tharë ngjyra e kuqe e gjakut të derdhur në fqinjësinë tonë. Muslimanët kanë dëshmuar pjekurinë më të lartë, pa u mbështetur në atë se kanë qenë shumicë, por rasti nuk ishte i këtillë aty ku ata ishin pakicë. E gjithë ajo që i gjeti ata u bë në emër të fesë “paqësore”. Për fat të keq, këtë traditë tonë në vend që të përkrahet, politikisht është duke iu bërë dëmi më i madh, duke filluar që nga paragjykimet ndaj Islamit, deri te shpronësimi i muslimanëve dhe institucioneve të tyre. Ç’do të thotë kjo, veçse keqpërdorim.

Ne sot hapësirën tonë e kemi të boshatisur nga kultura e teologjisë, nga mësimet fetare, nga interpretimet e tyre kulturore, filozofike e institucionale. Libraritë tona janë të zbrazëta nga literatura e duhur e teologjisë së shëndoshë dhe të edukuar, nuk ka fare kontroll ndaj kësaj, sepse gjithçka duhet të kalojë nga mendja, jo vetëm nga dëshira; dëshirat e shohim se çfarë janë duke na sjellë. Nuk është e kotë thënia mistike se rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira.

Shekulli Agency