Protestë kundër Trump në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve

Në Ditën Ndërkombëtare të Migrantëve, qytetarët e New Yorkut kanë protestuar kundër presidentit të zgjedhur të SHBA-ve Donald Trump i cili gjatë fushatës së tij zgjedhore spikati me retorikën kundër migrantëve.

Njujorkezët e mbledhur në Dag Hammarskjold Park përballë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) me rastin e 18 Dhjetorit-Ditës Ndërkombëtare të Migrantëve, mbajtën marsh protestues deri në Bulevardin e Pestë ku gjendet Trump Tower.

Protestuesit në duar mbanin pankarta me mbishkrimet “New Yorku i yni, New Yorku i migrantëve”, “New Yorku kundërshton armiqësinë”, “Në emër të njerëzimit, nuk e pranojmë Amerikën fashiste”, “T’i mbajmë të bashkuara familjet”, “Premtova ta ruaj New Yorkun e migrantëve”, “Jam me New Yorkun e migrantëve”, ndërsa hodhën slogane si “Duam drejtësi. Kur? Tani!”, E kujt rruga, e jona rruga” dhe “Populli asnjëherë nuk mposhtet nëse bashkohet”.

Protesta u organizua nga Koalicioni i Migrimit në New York nën moton “Marsh për migrantin e New Yorkut” dhe është mbështetur nga Sindikata Ndërkombëtare e Punëtorëve të Shërbimeve, politikanë të Partisë Demokratike dhe liderë të shoqërisë, ndërsa në mesin e pjesëmarrësve ishte kryetarja e kuvendit të New Yorkut Melissa Mark-Viverito dhe anëtarja e Kongresit nga Partia Demokratike Nydia Velazquez.

Kryetarja e kuvendit Mark-Viverito mbajti fjalim me këtë rast, ku tha se “Do të dalim rrugëve për të qenë kundër gjërave që duan t’i bëjnë. Ky është vetëm fillimi”. Mark-Viverito theksoi se migrantët janë të shqetësuar, duke shtuar se “Ata ndihen të kërcënuar nga qeveria e ardhshme e Trump”.

Ndërkaq, anëtarja e Kongresit Velazquez me origjinë nga Porto Riko, në fjalën e saj u shpreh se “Do të luftojmë kundër ligjeve që janë hartuar gabimisht kundër migrantëve”.

Trump, nga ana tjetër, në një deklaratë në programin “60 Minuta” në televizionin CBS, kishte deklaruar se do t’i deportonte migrantët ilegalë të cilët kanë dosje kriminale.

Ndryshe, përmes një rezolute të pranuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në vitin 2000, 18 dhjetori ishte shpallur “Dita Ndërkombëtare e Migrantëve”.

Shekulli Agency