Turqi, fillon fushata humanitare për Halepin

Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus dhe kryetari i Kryesisë së Çështjeve Fetare në Turqi, Mehmet Gormez kanë deklaruar se është e domosdoshme që urgjentisht të vendoset ndërprerja e luftimeve në Halep për të parandaluar zhdukjen njërit prej qyteteve më të rëndësishme në Lindjen e Mesme.

Kryesia e Çështjeve Fetare të Turqisë dhe Fondacioni i këtij insititucioni TDV lajmëruan se sot fillojnë fushatën humanitare të titulluar “Le të mos vdes humaniteti në Halep”, ndërsa me këtë rast në konferencën për gazetarët zëvendëskryeministri turk theksoi se qëllimi i fushatës është që të tubojë miliona aleatë që të dëgjohet thirrja për shpëtimin e Halepit.

“Shpresojmë se kjo tragjedi në Siri së shpejti të përfundojë. Halepi nuk do të vdes, sikur edhe feja, civilizimi dhe kultura e madhe në të dhe përsëri do të rinovohet. Halepi sërish do të jetë një nga qendrat kryesore të Lindjes së Mesme”, tha Kurtulmus.

Duke vënë në dukje përmasat e tmerrshme të vuajtjeve të njerëzve në luftën në Siri, ai tha se është bërë edhe luftë në të cilën është vrarë dinjiteti i mbarë opinionit botëror.

Kurtulmus shtoi se kjo fushatë humanitare është njëlloj thirrje ndaj njerëzisë që të mos harrojë vlerat e saj themelore civilizuese dhe të tjera. Duke kritikuar bashkësinë ndërkombëtare për shkak të raportit pasiv ndaj vuajtjes së muslimanëve në Siri, Mianmar, Palestinë dhe pjesëve tjera të botës, ai tha se bota islame duhet të forcohet për të ndaluar sulmet e fuqive botërore dhe keqbërësve.

“Do të vazhdojmë të themi se bota është më e madhe se pesë fuqitë e privilegjuara në Këshillin e Sigurimit dhe do të luftojmë në vendosjen e sistemit të drejtë në botë. Do të vazhdojmë t’i themi opinionit se rasti i Halepit nuk është vetëm çështje e brendshme e Sirisë, por segment i marrëveshjes së re Sykes-Picot. Në planin e madh, ky rajon sërish tentohet të ndahet në baza të përkatësisë etnike dhe fetare”, porositi Kurtulmus.

Duke kujtuar se Turqia ka strehuar tre milionë refugjatë sirianë dhe për këtë ka ndarë 15 miliardë dollarë, ai tha se fushata e re për Halepin dërgon edhe mesazhin për bashkësinë ndërkombëtare e cila hutohet kur duhet kujdesur për disa mijëra refugjatë.

Ai tha se gjakderdhja në Siri është “një det në të cilin po mbytet humanizmi” dhe i bëri thirrje të gjithë bashkësisë ndërkombëtare që të bëjnë përpjekje maksimale që të ndalet kjo tragjedi.

Në konferencë foli edhe kryetari i Kryesisë së Çështjeve Fetare të Turqisë, Mehmet Gormez, duke i bërë thirrje të gjithë liderëve botëror që të ndërmarrin masat e nevojshme me qëllim që urgjentisht të iniciohet procesi i vendosjes së paqes së përhershme në Halep dhe në rajonet e tjera që janë vatra lufte.

Ai ka theksuar se qëllimi i konferencës nuk është që të flitet për luftën në Siri, por të dëgjohet zëri dhe të qarat e fëmijëve që vuajnë dhe të dërgohet porosia e qartë se humaniteti ende nuk ka vdekur. “Kemi ardhur deri te momenti kur të gjitha fjalët janë harxhuar dhe kur më nuk kemi çfarë të themi. Fëmijët vdesin si në skenë në të cilën forcat e pretenduara sovrane qëndrojnë me duar lart. Fëmijët vdesin kur dikush përdor veton”, tha Gormez.

Gormez veçmas i bëri thirrje vendeve muslimane që të dëgjojnë të qarat e fëmijëve dhe civilëve të Halepit, të lënë anash mospajtimet dhe të bashkohen në betejën e ndaljes së valëve të luftërave dhe konflikteve ku muslimanët ndërmjet tyre vriten me armë të huaja dhe për interesa të huaja.

Kryetari i Unionit të Dijetarëve të Damaskut, Usame Er Rifai tha se situate në Halep është një tragjedi dhe dramë e madhe, por edhe kësaj radhe Turqia ka treguar se si me devocion lufton që të ndihmojë ata që kanë nevojë.

“Muslimanët kanë humbur udhërrëfimin, unitetin dhe solidaritetin e ndërsjellë. Misionin të cilin sot e ka iniciuar Turqia është shumë me rëndësi. Falë Zotit, duket sikur bariu ka gjetur kopenë e vet të humbur”, tha Rifai.

Duke theksuar se Izraeli ka mbledhur dhe mbron të gjithë hebrenjtë në mbarë botën, Rifai tha se zemrat e të gjithë muslimanëve të botës sot janë me Turqinë e cila ka iniciuar proces për përparimin e muslimanëve. Në Konferencën mori pjesë edhe zëvendës drejtori i përgjithshëm i Anadolu Agency, Metin Mutanoglu, kryetari i organizatës humanitare IHH, Bulent Yildirim, etj.

Shekulli Agency