Zgjedhje historike

sefer-6755Gjuha është njëra ndër çështjet që shkakton gjithmonë debate politike dhe zgjedhore në Maqedoni. I takon korpusit të të drejtave kolektive dhe si e tillë nuk kapërdihet lehtë nga qarqe dhe struktura të caktuara maqedonase, ndërsa partitë shqiptare deri më tani e kanë përdorur për marketing politik, duke folur në stilin “e lagu dhelpra bishtin, se lagu dhelpra bishtin”.

Shkruan: Sefer TAHIRI

Shpesh në Maqedoni termi historik abuzohet! Për pak e për shumë, për procese politike, të rëndësishme dhe më pak të rëndësishme përdoret atribuimi i vlerës historike. Natyrisht për t’i dhënë një procesi apo ngjarje dimensione kolosale, të pazakonshme dhe madhështore, ngjashëm siç ishin ato të vitit 1998 apo 2002, kur u bë rotacioni i pushtetit.

Ndonëse, me gjithë rrezikun e keqkuptimit të termit historik, nuk gabojmë aspak nëse themi se zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbahen më 11 dhjetor janë historike. Nuk mbahet mend në historinë më të re politike të Maqedonisë që një proces zgjedhor të ketë zgjuar kaq interesim politik, mediatik, ndërkombëtar, por jo edhe sa duhet qytetar, gjë që është e kuptueshme, sepse Maqedonia gati dy vite është në krizë të thellë politike dhe tek qytetarët vërehet një lloj molisjeje politike, por e cila nuk do të ndikojë që apatia të jetë e nivelit të zgjedhjeve të kaluara parlamentare.

Kur themi historike, duhet dhënë argumentet pse ato janë të tilla. Së pari, këto zgjedhje nuk janë vetëm proces politik në të cilin do të matet me votë legjitimiteti demokratik, nuk janë zgjedhje që do të përcaktojnë se kush do të jetë në pushtet dhe kush do të mbetet në opozitë. Janë zgjedhje, në të cilat do të përcaktohet fati i disa politikanëve, do të mbeten të lirë apo do të shkojnë prapa grilave në burg. Kuptohet, meqë Maqedonia është një shtet jodemokratik, në të cilin shteti juridik apo drejtësia fatkeqësisht varen nga legjitimiteti politik. Të ishim shtet normal, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, askush nuk do ta vinte në pikëpyetje funksionimin e Prokurorisë Publike Speciale dhe ndjekjen e atyre që kanë shkelur ligjin dhe që kanë abuzuar me detyrat publike.

Zgjedhjet do të jenë përzgjedhje midis të mirës dhe të keqes, midis drejtësisë dhe padrejtësisë, midis lirisë dhe mungesës së saj, midis demokracisë dhe diktaturës! Zgjedhje midis opsionit në pushtetit dhe atij në opozitë! Kur kjo betejë është kaq e rreptë, për jetë a vdekje, atëherë edhe impenjimi i faktorëve politik pritet të jetë më dinamik dhe intensiv.

Ofertat e partive shqiptare

Ofertat e partive politike shqiptare janë betonuar tek statusi i shqiptarëve dhe artikulimi i të drejtave të tyre kolektive. Partia në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të promovojë konceptin e Maqedonisë shumëetnike, që garantohet me Marrëveshjen e Ohrit, Partia Demokratike Shqiptare angazhohet për Marrëveshjen e re politike, që nënkupton barazinë e plotë me maqedonasit, ndarjen e buxhetit në mënyrë proporcionale dhe formimin e Parlamentit dydhomësh.

Opozita shqiptare jashtëparlamentare ofron po ashtu ndryshimin e konceptit të rregullimit shtetëror-juridiko-kushtetues. Koalicioni Rilindje me Besë, i përbërë nga BESA dhe RDK e Fadil Zendelit ofron ridefinimin, që në thelb nënkupton ndryshimin e karakterit të shtetit, nga ai monoetnik në dyetnik dhe në të cilin edhe shqiptarët do të ndjehen të barabartë në Maqedoni. Koncepti i koalicionit “Aleanca për Shqiptarët”, i përbërë nga LR PDSH, UNITETI dhe RDK e Vesel Memedit, është formimi i shtetit binacional në Maqedoni, ndërsa shqiptarët dhe maqedonasit do të ishin bartës të shtetformësisë në vend.

Fushatë me gjuhën 15 vite pas MO-së

Rrallëkush, madje edhe pesimistët më të mëdhenj, do të kishin menduar se zgjedhjet parlamentare në vitin 2016 do të kishin pikë kryesore referente statusin e gjuhës shqipe, zyrtarizimin e saj në të gjitha nivelet. Në kohën kur ajri është tepër i ndotur, kur na rrezikohet jeta, kur varfëria është në shifra alarmante, kur ekonomia është në kolaps, ndërsa borxhi i jashtëm dhe ai i brendshëm kap shifrën e 1 miliard eurove, politika na imponon në agjendën e saj gjuhën! Me të më lehtë trumbetohet dhe manipulohet. Në fakt partitë politike, që e quajnë veten më relevante, gjithë këto vite strukturalisht kanë qenë të dizajnuara si subjekte elektorale.

E vërtetë është ajo që promovon Bashkimi Demokratik për Integrim në spotet elektorale se në komunikim zyrtar mund të përdoret gjuha shqipe, por kjo vlen vetëm në të folur, por jo edhe në të shkruar. Absurdi që të jetë më i madh, kështu vepron edhe Kuvendi, institucioni shtetëror që ka miratuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Madje BDI-ja doli edhe me një ide të re: formimin e Institutit për Mbikëqyrjen e Përdorimit Zyrtar të Gjuhës Standarde Shqipe. Por, që të ndodhë realizimi i kësaj ideje, promovues i së cilës është Xhevat Ademi, duhet të bëhet miratimi i Ligjit për mbrojtjen e gjuhë shqipe, njëjtë siç është Ligji për mbrojtjen e gjuhës maqedonase.

Prandaj nuk ka se si të interpretohen ndryshe, pos si politikë elektorale, vlerësimet e BDI-së se janë për miratimin e Ligjit të ri për gjuhën shqipe. Ligj të ri, kur dihet se BDI-ja, përfshirë edhe kreun e saj Ali Ahmeti pohonin me ngulm se gjuha shqipe është zyrtare dhe me këtë formulim i hidhnin poshtë kritikat e opozitës. Si duket, nuk paska qenë tërësisht zyrtare meqë vetë kjo parti mbështet ligj të ri, bashkë me një institut të ri. Shqipja, madje, as nuk përmendet në Kushtetutë dhe në ligj, por vetëm si gjuhë e popullatës 20 %, e cila mund të zbatohet me kërkesë të veçantë nga qytetari. Ndërsa edhe aty ku lejohet, përdorimi i saj shoqërohet me shumë gabime drejtshkrimore e sintaksore. Institucionet nuk punësojnë lektorë, madje shpesh mund të hasim në komunikimin publik shkrimi ose porosi të përkthyera nga gjuha maqedonase në google translate. Tmerr, por e vërtetë.

Prandaj Xhevat Ademi ka shumë të drejtë kur konfirmon se “Përgjigjen do ta japin qytetarët” lidhur me vonesën prej një dekadë e gjysme sa i përket përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Pikërisht qytetarët do ta japin verdiktin mbi këtë çështje.

Jo vetëm në kampin shqiptar, por zyrtarizimi i gjuhës shqipe është temë e nxehtë edhe në kampin maqedonas. Në shekullin XXI ende ka forca etnonacionaliste maqedonase, të cilave u pengon gjuha shqipe, madje disa prej tyre luten që shqiptarët të bien ndër 20 %, me qëllim që t’u humbet e drejta e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, pasi përdorimi i shqipes është i ndërlidhur me përqindje.

Për dallim nga LSDM- ja e vjetër, e cila kishte qëndrime më rigide ndaj kërkesave kolektive të shqiptarëve, LSDM- ja e re, që drejtohet nga Zoran Zaev, një politikan me një të kaluar pa skandale dhe pa frustracione etnike, është më avancuese sa i përket gjuhës, pasi pohon se Kushtetuta është korniza e mjaftueshme juridike për ta përdorur shqipen në nivel zyrtar. Zaevi ka pohuar se nuk duhet bërë asgjë më shumë se sa të zbatohet Kushtetuta. “Kushtetuta jonë është më pro-evropiania dhe ndër më liberalet që jep mundësi të shkëlqyeshme për përdorimin e të gjitha gjuhëve të të gjitha bashkësive në vend. Vetë Kushtetuta është mundësi e shkëlqyeshme. Përfundimisht duhet ne të çlirohemi nga këto gjëra, e gjithë bota ecën përpara ndërsa ne akoma flasim nëse dikush guxon dhe si guxon t’i përdor të drejtat e tij themelore të cilat janë të garantuara me ligj dhe kushtetutë”, u shpreh Zoran Zaev, kryetar i LSDM-së. Por, Gruevski, edhe pse në disa raste ose takime me shqiptarët është orvatur të flasë shqip, fobinë që ka ndaj shqipes nuk mund të kamuflojë dot.  “Populli nuk e mbështet LSDM-në pasi çdo qytetar e ka të qartë se nëse votojnë për Zoran Zaevin, voton edhe për dygjuhësinë, voton për kantonizimin dhe federalizmin. Voton për ridefinimin e Maqedonisë”, tha Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO DPMNE-së.

Gjuha është njëra ndër çështjet që shkakton gjithmonë debate politike dhe zgjedhore në Maqedoni. I takon korpusit të të drejtave kolektive dhe si e tillë nuk kapërdihet lehtë nga qarqe dhe struktura të caktuara maqedonase, ndërsa partitë shqiptare deri më tani e kanë përdorur për marketing politik. Duke folur në stilin “e lagu dhelpra bishtin, s’e lagu dhelpra bishtin”, partia shqiptare në pushtet thoshte se shqipja është zyrtare, ndërsa kur vinin zgjedhjet kërkonte 20 deputetë dhe edhe një mandat parlamentar për ta rrumbullakuar këtë proces. Gjithsesi një praktikë propagandistike, e lexuar dhe e dekoduar  tashmë nga qytetarët. Nga një pjesë e tyre.

Në këto zgjedhje, në bazë të rezonimit të drejtë politik, do duhej debati të ishte i përqendruar tek ekonomia, ekologjia, arsimi, shkenca, politika sociale, kultura apo urbanizmi, ndërsa partitë politike asnjë milimetër nuk i janë shmangur agjendave dhe përplasjeve etnike, me përjashtim të LSDM-së, e cila promovon konceptin qytetar, ndërsa nga VMRO-DPMNE-ja ky koncept në kontekst të interesave etnike maqedonase shihet si tradhtar. Ky është terreni në të cilin partitë politike luajnë më mirë dhe me zhdërvjelltësi. Nëse këto zgjedhje do të kalojnë në frymën e kërkesave etnopolitike, nga të dyja palët politike, si ajo maqedonase, po ashtu edhe ajo shqiptare, duhet të krijohet ambient demokratik që të paktën në të ardhmen krahas “politikës së madhe” të debatojmë edhe mbi cilësinë e produkteve ushqimore, mbi ujin, ajrin, librin, teatrin dhe cilësinë e shërbimeve mjekësore. Etnonacionalizmi është çerdhe për strehimin e gjithë atyre që nuk kanë alternativa për çështjet jetike që kërkojnë zgjidhje të shpejtë.

Shekulli Agency