MAQEDONI – Gashi: Tashmë mund ta fitojmë BDI-në

gashi-7564I ftuar në Emisionin “Arena”, në Televizionin Shenja, mbrëmë ishte sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, njëherësh bartës i listët për deputet i koalicionit “Rilindje me Besë” në njësinë zgjedhore numër 2. Duke folur mbi konventën e 22 nëntorit të këtij koalicioni, Gashi tha se nuk dyshonin që mund ta mbushin sallën, pasi sipas tij, duke u bazuar në protestat e organizuara më herët, e dinin se ky vend do të jetë i vogël për t’i nxënë të gjithë simpatizuesit dhe përkrahësit. Gashi tha se deri para mbajtjes së konventës promovuese, ka pasur bindjen se do të jenë shumë afër me BDI-në, por siç tha ai, tanimë është i bindur që do të fitojnë.

“Shumëkush prej neve ndihej i mrekulluar. Ajo që e ndjenim në frymën e kësaj, ishte se shqiptarët duan ndryshim. Kishte nevojë që të artikulohet kjo nëpërmjet një subjekti. Të gjithë shqiptarët tanimë janë të sigurt se përmes koalicionit tonë, BDI mund të largohet nga skena”, deklaroi Afrim Gashi, sekretar I përgjithshëm I Lëvizjes BESA.

Ai theksoi se vetë BDI më herët është deklaruar se do të fitonte, vetëm pse ishin më pak të këqinj, pasi sipas Gashit, deri më tani shqiptarët duhet të zgjidhnin mes dy të këqijave. Gashi gjithashtu tha se nuk vijnë në pushtet që të hakmerren ndaj askujt, por vijnë me vullnet të mirë për të ndryshuar gjendjen.

“Një plak apo një plakë, ta sjellësh nga Manastiri, në moshën 70 vjeçare, atyre njerëzve u duhet vullnet shumë i madh që të vijnë. Ne nuk kemi pasur mundësi t’i motivojmë me asgjësend ata njerëz, përveç se ju kemi ofruar sinqeritetin tonë dhe gatishmërinë që të sakrifikojmë për të mirën e tyre. Un në sytë e njerëzve shihja një vullnet dhe besim se kjo është rruga më e mirë” , ka deklaruar Gashi.

Duke folur për kushtet e fushatës parazgjedhore, Gashi tha që janë krijuar kushte të padrejta institucionale në favor të partive në pushtet, mirëpo theksoi se të gjitha reklamat dhe bilbordet e BDI-së, nuk vlejnë as sa një buzëqeshje gjatë konventës së koalicionit “Rilindje me Besë”.

Ajnur Bafqari /SHENJA/

Shekulli Agency