Në Maqedoni më tepër i përhapur virusi HIV, ndërsa në Kosovë drogat

Përkatësia kombëtare e personave me HIV/SIDA në Maqedoni është dominuar nga maqedonasit (54.2 %), shqiptarë (29.7 %), ndërsa kombësitë tjera janë të përfaqësuara me 16 %

sho-hopsShoqata joqeveritare HOPS (Opsione për jetë shëndetësore – Shkup) në konferencën përfundimtare të projektit dy vjeçar për “Parandalimin e HIV-it dhe përdorimit të drogës në mesin e qytetarëve në zonat kufitare”, projekt i përkrahur nga Bashkimi Evropian (BE) për bashkëpunim ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës, konstatoi se në Kosovë më tepër janë të përhapura drogat, ndërsa Maqedonia më së tepërmi ballafaqohet me virusin HIV.

Qëllimi i projektit është edukimi i ekspertëve dhe studentëve të ardhshëm në fushën e punës sociale, mjekësisë, policisë, sigurisë si dhe të stafit profesional që është i lidhur drejtpërdrejtë me përdoruesit e fundit apo personat nën rrezik më të lartë.

Në Maqedoni për herë të parë infeksioni me HIV u diagnostikua në vitin 1987, ndërsa dy vjet më vonë u raportua rasti i parë i një personi me SIDA dhe vitin e njëjtë ndodhi rasti i parë i një personi me SIDA. Deri në fund të vitit 2013 numri i përgjithshëm i personave me HIV/SIDA është 197.

Sipas hulumtimeve të Shoqatës HOPS, shumica e tyre janë regjistruar në Shkup (88 persona), Tetovë (22 persona), Kumanovë (10 persona), Prilep (9 persona), Ohër (9 persona) etj. Përkatësia kombëtare e personave me HIV/SIDA në Maqedoni është dominuar nga maqedonasit (54.2 përqind), shqiptarë (29.7 përqind), ndërsa kombësitë tjera janë të përfaqësuara me 16 përqind.

Drejtor ekzektutiv i Shoqatës HOPS, Hristijan Jankulloski, theksoi se të gjtiha institucionet, përfshirë edhe sektorin civil, duhet të jenë të vetëdijshëm se vazhdimi i llojeve të këtilla të projekteve ka një rëndësi të madhe, pasi siç tha ai, virusi HIV nuk është vetëm çështje shëndetësore, por shkaktar janë edhe shumë çështje tjera, të tilla si determinante të ndryshme sociale.

“Mjetet financiare nuk mjaftojnë gjithmonë për këto çështje, por është me rëndësi se jo gjithmonë na duhet një numër i madh i mjeteve financiare. Mjafton përkushtimi i institucioneve në fushë-veprimin e punës të japë kontributin në parandalimin, trajtimin dhe mbështetjen për personat që janë të infektuar me virusin HIV”, theksoi Jankulloski.

Sipas Jankulloskit duhet të punohet në mbështetjen e aktiviteteve parandaluese, të mos bëhet stigmatizëm dhe të mos margjinalizohen ato grupe të qytetarëve të infektuar nga ky virus.

Ndërkaq, drejtori i Qendrës Specialistike Psikiatrike “Labyrinth” – Prishtinë, Safet Blakaj, theksoi se në Kosovë më tepër janë të përhapur drogat, në krahasim me Maqedoninë, ku më tepër është i përhapur HIV-i. Ai bëri të ditur se bashkëpunimi me Shoqatën HOPS ekziston tashmë shtatë vite, bashkëpunim i cili sipas tij përmes shkëmbimit të përvojave kontribuon në parandalimin e virusit HIV dhe drogave.

“Vet prania e tyre jo vetëm në këtë konferencë, por edhe në të gjitha aktivitetet tjera na bën me dije se ne duhet të zgjerojmë bashkëpunimin. Natyrisht që HIV-i dhe drogat nuk kanë lidhje me kufirin, racën apo gjuhën, ata përhapen në çfarëdo mënyre të mundshme. Prandaj, bashkëpunimi me fqinjët është më i përshtatshëm për parandalimin e HIV-it dhe drogave”, deklaroi Blakaj.

Që nga zbulimi i SIDA-s në vitin 1981 dhe zbulimin e virusit HIV si shkaktar i SIDA-s në vitin 1983, në botë 60 milionë njerëz janë infektuar me HIV ndërsa 25 milionë kanë vdekur nga SIDA. Edhe pse që nga viti 2000, përqindja e njerëzve që jetojnë me HIV tregon një trend të stabilizimit, numri i përgjithshëm i njerëzve të infektuar me HIV është në rritje. Raportet e UNAIDS flasin për rreth 35.5 milionë njerëz që jetojnë me HIV në mbarë botën.

Shekulli Agency