Gjykata Kushtetuese refuzon kërkesën e Listës Serbe për vlerësimin e Ligjit të Trepçës

Në vendim bëhet e ditur se Ligji për Trepçën është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe se ashtu siç është miratuar nga Kuvendi, i dërgohet Presidentit Thaçi për shpallje

trepca-458991132Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur aktvendimin për papranueshmërinë e kërkesës së deputetit Slavko Simic dhe të 10 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për vlerësimin e kushtetutshmërisë se Ligjit për Trepçën.

Në vendimin e publikuar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës bëhet e ditur se kërkesa e Listës Serbe nuk është në baza kushtetuese. “Si përfundim, Gjykata gjen se parashtruesit e kërkesës nuk kanë dëshmuar pretendimin e tyre në baza kushtetuese dhe nuk kanë paraqitur prova që tregojnë se si dhe përse Ligji i kontestuar për Trepçën ka shkelur Kushtetutën, qoftë në procedurë, qoftë në përmbajtje.”

Së fundi në vendim bëhet e ditur se Ligji për Trepçën është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe se ashtu siç është miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, i dërgohet Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për shpallje.

Ndërkaq, me këtë rast, kryeparlamentari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në një postim në rrjetet sociale ka shprehur urimin e tij për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. “E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin konfirmohet pajtueshmëria e Ligjit për Trepçën me Kushtetutën. Urime minatorëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Veseli.

Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, nëpërmjet të cilit Qeveria e Kosovës do të ketë 80 për qind të askionëve, ndërsa 20 për qind të tyre do të kenë punëtorët e Trepçës. Kurse pas disa ditëve të miratimit të këtij ligji, Lista Serbe kishte dorëzuar ankesën e saj tek Gjykata Kushtetuese, duke vlerësuar se ky ligj ka shkelur disa procedura të cilat duhet të jenë në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

Shekulli Agency