Prokuroria Speciale e Kosovës ngrit aktakuzë ndaj Fatmir Limajt

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit, Fatmir Limaj, kryetar i partisë opozitare, Nisma për Kosovën, për veprën penale “Krime të luftës kundër popullatës civile”

limajProkuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit, Fatmir Limaj, kryetar i partisë opozitare, Nisma për Kosovën, për veprën penale: “Krime të luftës kundër popullatës civile”.

Në një njoftim zyrtar nga PSRK bëhet e ditur se sipas aktakuzës, rasti ka të bëjë me vrasjen e dy civilëve, Ramiz Hoxha dhe Selman Binishi nga komuna e Malishevës, të cilët me datë 2 nëntor 1998, janë marrë në afërsi të xhamisë së fshatit Bellanicë dhe janë ekzekutuar në hyrje të fshatit Kravasari.

“Aktakuza e ngarkon të pandehurin Fatmir Limaj se, si pjesëtar i UCK-së dhe komandant i Brigadës 121, nuk ka ndërmarrë masa të arsyeshme dhe të nevojshme brenda kompetencave të tij për ta parandaluar apo për të ndalur vrasjen e Ramiz Hoxhës dhe Selman Binishit. Sipas aktakuzës, i pandehuri Fatmir Limaj, i ka parë kufomat e viktimave dhe e ka ditur për krimin e kryer, mirëpo me vetëdije nuk ka ndërmarrë masa drejt zbulimit të autorëve të këtij krimi dhe rastin asnjëherë nuk e ka paraqitur te organet kompetente për hetim dhe ndjekje”, thuhet në njoftim nga PSRK.

Ndërkaq pas këtij vendimi, kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj reagoi me një deklaratë në rrjetet sociale të tij.

Limaj ka theksuar se Prokuroria e Kosovës sot doli me një aktakuzë për një rast të cilin ai është hetuar së paku tre herë, dy herë nga UNMIK-u dhe një herë nga Tribunali i Hagës. Ai ka shtuar se në të tri rastet këto hetime janë mbyllur në mungesë të provave.

“Të vetmin arsyetim në të cilin prokuroria e mbështet aktakuzën është se vrasjet kanë ndodhur në territorin për të cilin prokuroria pretendon se në atë kohë ka qenë territor i Brigadës 121 të UÇK-së. Edhe pse as vet prokuroria nuk e di kush janë vrasësit e atyre civilëve, ajo më bën mua përgjegjës pse nuk e paskam parandaluar apo ndaluar dhe pastaj hetuar vrasjen e dy civilëve për të cilët as në aktakuzë nuk dihet se kush janë vrasësit e atyre civilëve”, ka shkruar Limaj.

Ai gjithashtu ka shtuar se nga shkresat e lëndës del që në atë kohë përgjegjësinë për këto vrasje përmes një komunikate e ka marrë përsipër Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, duke theksuar se po në atë kohë nuk ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

“Këtu është duke u keqpërdorur ky rast në mënyrë që të vazhdojë përndjekja kundër meje. Kjo besoj tanimë për të gjithë është e qartë. Familjarët e viktimave me të drejtë presin ndriçimin e rastit dhe zbulimin e fajtorëve dhe jo tragjedia e tyre familjare të shfrytëzohet për qëllime tjera”, ka shkruar në fund Limaj.

Shekulli Agency