Ministri Akdag viziton institucionet shëndetësore në Tiranë

akdag-7665Në kuadër të vizitës zyrtare në Shqipëri, ministri turk i Shëndetësisë, Recep Akdağ, ka zhvilluar një vizitë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe në Poliklinikën e Specialiteteve 3 në Tiranë.

Gjatë vizitës në Spitalin “Nënë Tereza”, ministri shqiptar i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili shoqëronte homologun e tij, e ka informuar për punën e deritanishme të bërë në kuadër të reformës në sistemin e shëndetësisë në Shqipëri.

Pasi ka treguar ambientet e Departamentit të Urologjisë, Beqaj, ka shoqëruar homologun turk edhe në qendrën e shërbimit të urgjencës. Më pas dy ministrat kanë vizituar edhe qendrën e distilimit e cila ndodhet në godinën e urgjencës së këtij spitalit.

Krahas ministrit Beqaj edhe drejtoresha e përgjithshme e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” Tiranë, Ogerta Manastirliu, ka dhënë informacion mbi mbarëvajtjen dhe punën e bërë në këtë spital.

Më pas ministri Akdağ ka zhvilluar një vizitë edhe në Poliklinikën e Specialiteteve 3 në Tiranë. Ai ka shikuar nga afër në këtë institucion shëndetësor edhe ambientet e dhomës së endoskopisë e financuar nga Agjencia Turke për Koordinim dhe Zhvillim (TIKA).

Ai gjithashtu ka vizituar gjatë ditës së sotme edhe xhaminë historike të Et’hem Beut në Tiranë.

Shekulli Agency