Kode subidentitare shqiptare

pajazitiGlobalizimi i rrënon besnikëritë tradicionale, e minon ndjenjën e përkatësisë kombëtare, pra edhe identitetin kombëtar. Giddensi thotë se njëra prej cilësive kryesore të modernitetit është “projektimi refleksiv i unit” – individët arsyetojnë rreth identitetit të vet dhe vazhdimisht e ndryshojnë atë.

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Identiteti (identity) paraqet ndjenjat e vetes, të personalitetit, të asaj që në fakt dikush është. Si një term i studiuar nga psikanalistët, sociologët dhe social-psikologët, identiteti përfaqëson veçoritë kryesore të individit (personal identity) ose të një grupi të njerëzve (collective identity), me të cilat shumë lehtë mund të dallohet një njeri ose një kolektivitet. Identiteti nënkupton vetëdije dhe gatishmëri për ta njohur vetveten, imazhe të një individi që e ka në kokë “unin e tij”, veçoritë e karakterit dhe të karakteristikave fizike, mënyrën e sjelljes jopersonale, ndjenjat, njohuritë, vetëdijen. Identiteti, si “uni” i njeriut ose i grupit, në shoqërinë moderne paraqitet i shumëllojshëm, si: identitet fizik (vetëdija për trupin), identitet gramatikor (emri, nënshkrimi), identitet juridik (vetëdija për të drejtat dhe detyrat), identitet rajonal, kombëtar, etnik (vetëdija për t’i mbrojtur tokat etnike), identitet social (pushtimi i disa statuseve, luajtja e roleve, lidhja e marrëdhënieve, pjesëmarrja në rrjetin e informacioneve), identitet kulturor (ndërtimi i sistemit të vlerave, instalimi i vetes në bazë të sistemeve ideologjike) etj. Identitetet zakonisht përfshijnë ngjashmërinë dhe dallimin. Nëse jeni shqiptar, jeni i ngjashëm me shqiptarët e tjerë dhe, natyrisht, dalloni nga joshqiptarët. Ngjashëm me këtë edhe një britanik dallon nga europianët kontinentalë ose nga imigrantët që jetojnë në Britani. Ka mendime se identiteti është i ngurtë ose i dhënë. Sociologët pohojnë se identiteti është fluid dhe i ndryshueshëm, se njeriu mund ta ndryshojë atë, në veçanti në shoqëritë moderne. P.sh. dikush lindet si i krishterë e më vonë konvertohet në budist. Globalizimi i rrënon besnikëritë tradicionale, e minon ndjenjën e përkatësisë kombëtare, pra edhe identitetin kombëtar. Giddensi thotë se njëra prej cilësive kryesore të modernitetit është “projektimi refleksiv i unit” – individët arsyetojnë rreth identitetit të vet dhe vazhdimisht e ndryshojnë atë.

Çështja e identitetit ose identiteteve shqiptare është një problematikë dhe një njësi e gjallë analitike, që kërkon qasje shumëpërmasore, duke pasur parasysh se shqiptarët sot sociologjiksisht janë edhe më të afërt mes vete, por edhe „gjithnjë më të ndryshëm“, në veçanti me ngjalljen e debatit për kombin kosovar. Baza konceptore e identitetit shqiptar shkon deri te identitetet me sfond kombëtar, religjioz, rajonal etj. Ndoshta kjo është pjesë e çdo kulture dhe çdo entiteti, por te shqiptarët diada gjuhësore evidente në terren, toskë e gegë, pas vitit 1999, gjegjësisht 2008, ka përjetuar edhe një formatim të ri politik: dyshtetësia që sipas disave krijon dykombësinë, shqipërianizmin (!) dhe kosovarizmin (?), që analizuar kulturalisht dhe sociologjikisht janë brumë i njëjtë etnik, i ndarë në dy pjesë të ndryshme politike, në dy shtete që jodomodoshmërisht prodhojnë edhe dy kombe. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar edhe një element të rëndësishëm të identitetit shqiptar, iliridasit ose shqiptarët e Maqedonisë, të cilët – ndonëse në hije të këtyre dy shtresave më të forta të identitetit total – kanë shumë gjëra për t’i dhënë frymës kombëtare. Këta të fundit vazhdojnë të jetojnë me gjendjen e padefinuar të tyre, mes nacionalizmit gjithëkombëtar dhe kërkesës për avancim të të drejtave të tyre, për marrje të hisesë që u takon në kuadër të një shtetit të mbetur pezull në koniunkturat ballkanike dhe më gjerë.

Rasti i Maqedonisë është specifik në shumë aspekte për shqiptarët e këtushëm: ata në shtatëdhjetë vitet e fundit jetojnë në katër Maqedoni, komuniste, 1990-2001 etnike, post-ohërase (2001-2006) dhe VMRO-centriste (2006 e këndej). Nga defanziva totale ose inivizbiliteti kombëtar shqiptar i shqiptarëve të Maqedonisë, me rënien e komunizmit, u hapën dyert për faktorizim identitar dhe politik: pas vitit 2001 nisi faza e re e shtetndërtimit me marketingun për integrim brenda dhe jashtë, në Maqedoni dhe me Europën, multikulturalizmi si shenjë njohëse (i parealizuar) dhe faza e fundit në të cilën jetojmë ajo e përpjekjes për retrograditet, për kthim në monoetnizëm dhe për shpërfillje të identitetit shqiptar. „Lufta“ për dukje sa më të madhe në sferën publike vazhdon, ndonëse defanziva totale e partisë më të madhe shqiptare (BDI) dhe asaj të dërrmuar (PDSH), ka krijuar një kulturë të vetëminimizimit dhe të distancimit nga politika dhe shteti. Ndonëse gjendja është shumë e pafavorshme për shqiptarët e RM-së, kohëve të fundit shfaqen do xixa që flasin për një frymë të re. Lideri i opozitës maqedonase shprehu gatishmëri për dygjuhësi në gjithë territorin e shtetit, që shkaktoi reagime te qarqet ultrakonservatore dhe te partia e pozitës, që e cilësuan këtë akt si tradhti kombëtare. Lëshimi pe drejt shtetit multietnik, e shpëton Maqedoninë nga ankthi i „pasigurisë së maqedonasve nga kërkesat e pafundme shqiptare“, bën një mjedis të relaksuar, një shtet me perspektivë, një vend që mund të mbijetojë e ta vazhdojë hapërimin historik drejt së ardhmes. Pra, shfaqja me e dukshme e problemit shqiptar në Maqedoni është të jetuarit në një shtet, por pa ndjenja, të jetuarit si përkohësisht dhe pa oreks, për dallim nga dy pjesët më të mëdha të shqiptarisë, ku kulmi shtetëror sjell garancinë për ardhmëri më të mirë dhe kushte më të mira për vetërealizim

Një fakt i rëndësishëm i identitetit shqiptar në Maqedoni është edhe religjioni, gjegjësisht Islami si element dallues i këtij mbindërtimi kulturologjik. Të gjitha analizat, edhe cilësore edhe ato sasiore, flasin se – për dallim nga afetaria evidente klasike në Shqipëri dhe averzioni intelektualist ndaj Islamit në Kosovë – në Maqedoni shënohet një konservatorizëm i dalluar, një lidhje për vlerat shpirtërore, për të kaluarën osmane-islame, për Turqinë, për botën vëllazërore islamike (ummetin) etj., gjëra këto që pak më të zbehta i hasim të rigjallëruara edhe në Kosovë e Shqipëri. Vlerat, si feja, familja, xhamia, ende janë të shenjta te shqiptarët e këndit të tretë shqiptar. Kjo nuk do të thotë se në trojet tjera shqiptare këto elemente shpërfillen tërësisht, porse janë relativizuar shumë nga makineria prolaike. Miti i fesë civile është prezent edhe në Shkup a Tetovë, por ama shenjtëritë autentike janë më të fuqishme dhe më mobilizuese. Ja një tablo konkrete nga një analizë në fokus-grup, e realizuar në korrik të vitit 2015 me studentë të një universiteti në Maqedoni: Pyetja: „Të marrim tre elemente identitare: i pari, etniciteti; i dyti, shtetësia ose qytetaria dhe i treti, elementi religjioz. Pyetja është, si do ta kishit bërë radhitjen, cilin do ta kishit vendosur në vendin e parë? B: “Etnicitetin.” X: “Etnicitetin.” D: “Fenë” Y: “Kombin.” G: “Fenë.” J: “Fenë.” Q: “Fenë.” P: “Fenë” K: “Fenë.” L: “Fenë” I: “Fenë.” Pra, siç vërehet, në përgjithësi, kategori primare e identitetit të shqiptarëve të Maqedonisë është religjioni, që nuk përjashton elementin kombëtar ose etnik. Nga ana tjetër, diskursi publik në shtetin amë dhe ai kosovar këtë frymë e sheh si hendikep, si diçka që e dëmton kauzën, që e zbeh imazhin europian të shqiptarëve (Kadare). A është kështu? Çdo rajon i ka specifikat e veta dhe dallon nga tjetri. Të gjithë shqiptarët po hyjnë në një fazë të faktorizmit evident të fesë, në veçanti Islamit, gjë që vërehet edhe nga rrugët e Tiranës për bajram, por edhe nga aktualizimi i Islamit kosovar, gjegjësisht i teologëve të këtij shteti që shënojnë popullaritet të madh te popullata rinore. Ateizmi, shekullarizmi i padefinuar dhe, tani, faza e fetarizmës publike. Në Maqedoni nuk ka ndonjë lëvizje tektonike fetare të dukshme, sepse kjo vijë e ka ruajtur kontinuitetin e vet në kohë.

Shqiptarët e Maqedonisë, të cilët janë më të lidhur identitetin shqiptar për shkak të pasigurisë në shtetin ku jetojnë, kohëve të fundit kanë disa vlera me të cilat mund të garojnë me ata të dy shteteve shqiptare, universitet (UEJL), shtëpi botuese (Logos-A), klub futbollistik (Shkëndija), kompani e të ngjashme, me të cilat ata tregojnë se – përkundër inferioritetit disadekadësh – tanimë e kanë marrë veten dhe janë në ngritje, drejt majave të piramidës edhe vendore dhe gjithëkombëtare.

Dialogjia rreth çështjes së identitetit shqiptar po vazhdon. Perceptimet janë të ndryshme, por kauza është një, si edhe objektivi: shqiptar dhe shqiptari konkurrente me vlerat e hapësirës në të cilën jetojmë dhe më tej, me vlerat globale. Shqiptarët kanë potencial për punë dhe arritje të mëdha. Edhe të bashkuar, edhe të shpërndarë gjithandej deri në diasporë. Për hapërim të shëndoshë duhet lexim i shëndoshë i frymës kombëtare dhe elementeve të tjera, të cilat nuk e përjashtojnë, por e përplotësojnë njëri-tjetrin. Kodi identitar shqiptar vazhdon të ndërtohet përmes elementeve të reja, përmes dialogut dhe dialogjisë, përmes apologjisë ndaj eksternes dhe polemikave të brendshme, të cilat – nëse bazohen në parametra tejemocionalë dhe shkencorë – sjellin dinamizëm, produktivitet dhe progres.

Shekulli Agency