1400-3000 euro nata?! Si i paguan ministri Tahiri pushimet e shtrenjta në Corfu Imperial?

-saimir-tahiri

Corfu Imperial është një resort turistik i mrekullueshëm, që mund të përmblidhet si… krenaria turistike e Korfuzit. Dhomat, vilat, suitat, bangalou-t e tij shtrihen në një gadishull privat, nëntë kilometra larg qytetit, gadishull i cili përmban 3 plazhe ranore të magjishme.

Në historikun e frekuentimit, ky resort që është pjesë e zinxhirit hotelier Grecotel, shënon mjaft familje mbretërore që e preferonin, si atë të dikurshme greke ashtu edhe sovranë të tjerë nga bota.

Dhe një detaj tjetër, shefat e restoranteve të këtij resorti duhet patjetër të kenë fituar çmime ndërkombëtare të famshme për të filluar punë.

Për të mos krijuar keqkuptime, ky paragraf nuk ishte promocion për resortin në fjalë; aq më tepër që megjithë krizën greke, nga një kërkim në internet rezultoi se mjediset e tij ishin të zëna këto ditë gushti. Jo, këtë hyrje të nevojshme bëmë për të shpjeguar se ku i kalon këto ditë pushimesh ministri i Brendshëm shqiptar Saimir Tahiri.

Dy burime të DITA-s kanë konfirmuar faktin që Tahiri ndodhet në Corfu Imperial. Në vetvete nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi është e domosdoshme që ministri i Brendshëm të pushojë.

Por pasi përshkruam cilësitë e resortit në fjalë, lexuesi mund ta marrë me mend që çmimet nuk janë aspak të përballueshme, qoftë dhe për rrogën e një ministri prej 150 mijë lekë bruto.

Të dhënat e DITA-s pohojnë se Tahiri pushon jo vetëm në një nga vilat (viletat) e kompleksit ekskluziv në fjalë. Nga faqja zyrtare e Corfu Imperial mësojmë se çmimet e këtyre viletave variojnë nga 1100 euro nata (junior bungalow suite), në 1600-2200-2400-2800-3200 euro nata dhe, për të mos shkuar më tej, ekzistojnë dhe mjedise si Palazzo Sissy dhe Royal Pavillon me përkatësisht 5 mijë dhe mbi 9 mijë euro nata.

Duke dashur të besojmë se ministri Tahiri ka zgjedhur luksin mesatar të këtij resorti, diku tek 2-3 mijë euro nata, sërish do të nevojitej gjithë rroga e tij vjetore për të kaluar një javë në Corfu Imperial.

Njëherësh, mësojmë se në këtë krenari turistike të Korfuzit, bashkë me ministrin është ndodhur edhe ish kreu i njësisë 6 për PS-në në Kombinat, i afërt me Sajmirin që kur ai si deputet socialist mbulonte njësinë 6.

Miku i ministrit, familjarë të të cilit shihen shpesh kohët e fundit në Tepelenën e akuzuar si “Lazarati nr.2”  së fundmi është përmendur për iniciativën e vënies së një rruge në Kombinat, të emrit të vëllait të ndjerë të vëllezërve Frroku. Ai nuk e ka mohuar se njihet me Frrokët, e madje se kishte biznese të përbashkëta me deputetin Mark Frroku.

Me profesion jurist, që në cv-në tij online, lidhur me aftësitë kompjuterike shkruan se “di të përdor internetin, word-in, Excel-in etj”, ai shihet shpesh në shoqërinë e vyer të ministrit. Ajo që nuk dihet është a i kanë hesapet e këtyre shpenzimeve luksi më vete, apo kush ja paguan kujt.

Në çdo rast, janë pushime që ngrenë një pikëpyetje të madhe.

corfu-imperial

Saimir-Tahiri

Shekulli Agency

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.