“Numri i investitorëve turq në Maqedoni duhet të rritet”

“Investimet e investitorëve turq janë rreth 1.2 – 1.3 miliard dollarë. Në 10 vitet e fundit vëllimi i tregtisë është rritur dy herë. Por ne duhet të jemi të sinqertë, kjo ende nuk është e niveli që ne duam”, deklaroi Olpak

kot-76555Pas hapjes së degës së Shoqatës së Industrialistëve dhe Biznesmenëve të Pavarur nga Turqia (MÜSIAD) dhe forumit të biznesit turko-ballkanik u nënshkrua memorandumi me Odat Ekonomike të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës.

Memorandumi u nënshkrua nga ana e kryetarit të Shoqatës MÜSIAD, Nail Olpal, me drejtoreshën ekzekutive të Odës Ekonomike të Maqedonisë, Jelisaveta Georgieva, kryetarin e Odës Ekonomike të Shqipërisë, Nikolin Jaka, si dhe me atë të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Nënshkruesit e memorandumit shprehën bindje se ky memorandum do të ndikojë pozitivisht në bashkëpunimin ekonomik dhe do të kontribuojë në zhvillimin e vendeve të tyre.

“Do të doja të theksoj se kjo nuk është odë ekonomike vetëm e Maqedonisë, por është e tërë rajonit. Ne nga ana jonë do të ofrojmë shërbime dhe do të përmirësojmë bashkëpunimin e biznesit, jo vetëm me Turqinë, por me të gjithë rajonin”, tha Georgieva.

“Ne duhet të intensifikojmë marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Turqisë dhe Shqipërisë, kështu që jam i bindur dhe i sigurtë që ky memorandum është faza e parë për të intensifikuar dhe për të rritur qarkullimin tregtar mes vendeve tona“, tha Jaka.

“Për ne, si Kosovë, Turqia është partner shumë i rëndësishëm dhe kjo nuk bazohet vetëm në bashkëpunimin ekonomik, por edhe në atë politik dhe strategjik. Turqia ka rrjete të rëndësishme me kontinentet tjera dhe mendoj se partneriteti me Turqinë dhe Shoqatën MÜSIAD është shumë i rëndësishëm”, tha Gërxhaliu.

Kryetari i Shoqatës MÜSIAD, Nail Olpal, theksoi se pjesëmarrja dhe rëndësia që përfaqësuesit e odave ekonomike të rajonit shprehën ndaj forumit të biznesit turko-ballkanik, dëshmon se rajoni ka interes për zhvillim ekonomik.

“Kjo tregon se ka filluar efekti i Shoqatës MÜSIAD në rajon. Besoj që do të krijojë një nxitje të madhe për ekonomikë e Maqedonisë. Shoqata jonë me qendrën e saj në Stamboll dhe me rrjetin tonë në të gjithë botën do të ndihmojë biznesmenët e Maqedonisë dhe rajonit”, u shpreh Olpak.

Pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim me Odat Ekonomike të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, me një ceremoni solemne u bë hapja e spitalit turk “Sante Plus”, i cili ofron shërbime në Turqi dhe në Ballkan me teknologji të avancuar dhe me standarde evropiane. Pjesëmarrës në këtë solemnitet ishin kryetarët e Odave Ekonomike të rajonit, ambasadori turk në Maqedoni, Ömür Şolendil, ministri paresor i obliguar për investime të huaja, Beycan Ilyas, si dhe të ftuar të tjerë.

Olpak: MÜSIAD është organizata më e madhe e shoqërisë civile në Turqi

Pas nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim, nën organizim të Shoqatës MÜSIAD u mbajt një dark gala në të cilën përveç përfaqësuesve të odave ekonomike dhe biznesmenëve nga rajoni, të pranishëm ishin edhe përfaqësues të Qeverisë së Maqedonisë, si ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, ministri paresor i obliguar për investime të huaja i Qeverisë së Maqedonisë, Beycan Ilyas, si dhe mysafirë të tjerë.

Olpak në adresimin e tij para të pranishmëve duke e përshkruar rritjen e shoqatës, tha se aktualisht MÜSIAD është organizata më e madhe e shoqërisë civile në Turqi, e cila po zgjerohet me shpejtësi të lartë. Ai shtoi se së shpejti do të hapen edhe degë të reja në Melbourne, Tokio, Amsterdam, Sudan, Tbilisi, Londër, Pakistan, Baku, Strasburg, Belgjikë, Kazakistan dhe Kirgistan.

Duke iu referuar ekonomisë turke për të cilën siç tha ai, pavarësisht zhvillimeve në vend vazhdon të befasojë botën me zhvillimin e saj, Olpak theksoi: “Pse të mos jetë befasi!? Të theksojmë, Britania pak kohë më parë vendosi të dalë nga BE-ja dhe menjëherë pas këtij vendimi, funta ra në nivelin më të ulët kundrejt dollarit në 30 vitet e fundit. Për Turqinë, ngjarjet e 15 korrikut janë tërmeti më i madh nga Brexit-i. Megjithatë, Turqia nga ky tërmet nuk u trondit, për disa ditë, lira turke rimori vlerën e saj”.

Në vijim, duke theksuar rritjen ekonomike prej 3.1 për qind në tremujorin e dytë të vitit, Olpak tha se Turqia është një nga pesë ekonomitë e para të botës me rritje më të madhe në vitin 2016. Ai shtoi se vitet e fundit është rritur numri i kompanive që investojnë në Maqedoni, por ky numër duhet të rritet edhe më tej.

“Investimet e investitorëve turq janë rreth 1.2 – 1.3 miliard dollarë. Në 10 vitet e fundit vëllimi i tregtisë është rritur dy herë. Por ne duhet të jemi të sinqertë, kjo ende nuk është e niveli që ne duam”, theksoi Olpak dhe shtoi se dega e re e MÜSIAD-it do të kontribuojë në rritjen e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, si dhe apeloi, që kjo të ndodhë, nevojitet mbështetje nga politikanët në vend.

Ndërkaq, ministri i Ekonomisë i Republikës së Maqedonisë, Driton Kuçi, tha se hapjet e vendeve të reja të punës janë të rëndësishme për Maqedoninë. Ai theksoi se Maqedonia kohën e fundit është duke u ballafaquar me një krizë politike, por shprehu shpresë se pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, kjo krizë do të tejkalohet.

“Ne duhet të dalim nga barrierat mentale që e rrethojnë Ballkanin. I tërë ky rajon i Ballkanit duhet të integrohet, rrugë tjetër nuk kemi. Edhe ne në Maqedoni, por edhe rajoni, të harrojmë patriotizmin tradicional dhe ta zëvendësojmë me patriotizëm ekonomik. Kjo do të jetë fuqia, bindja dhe shpresa për një të ardhme më të mirë evropiane”, deklaroi Kuçi.

Ai duke u bërë thirrje investitorëve për investime në Maqedoni, theksoi se duhet të merret parasysh kontributi proporcional, siç tha ai, aq sa do të investohet në anën lindore, të investohet edhe në anën perëndimore të vendit.

Shekulli Agency