“Numri i incidenteve etnike në Kosovë, më i madh se raportimet e institucioneve”

Sipas rezultateve të raportit në vitin 2015 janë raportuar gjithsej 11 raste, kurse sipas monitorimit të këtyre incidenteve nga OSBE-ja dhe EULEX-i numri i përgjithshëm i incidenteve të raportuara është 479

kot-9899076Në kuadër të projektit katërvjeçar, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i menaxhuar nga BE në Kosovë, “Koalicioni të drejta të barabarta për të gjithë”, sot u organizua një konferencë ku u bë prezantimi i raportit “Incidentet Potencialisht të Motivuara në Baza Etnike (IPME)”: “Përcaktimi dhe Raportimi”.

Gjatë fjalimit të tij, udhëheqësi i sektorit politik, ekonomik dhe integrimeve evropiane, në Zyrën e BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi vuri në dukje punën e projektit “Koalicioni të drejta të barabarta për të gjithë”, duke theksuar se qëllimi i tij është mbrojtja e të drejtave të grupeve të margjinalizuara. Ai shtoi se kjo është pjesë e rëndësishme e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e cila i referohet mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes nga diskriminimi i minoriteteve.

“Është e rëndësishme që komunitetet që jetojnë në Kosovë, pa marrë parasysh çfarë etniciteti kanë duhet të ndihen të sigurt ku jetojnë dhe të kenë besim në institucionet të cilat i mbrojnë. Kemi zgjidhje për këto raste dhe është shumë e rëndësishme që kryesit e këtyre veprave të sillen para drejtësisë”, u shpreh Gnocchi.

Ndërkaq, drejtori Ekzekutiv në Qendrën Evropiane për çështje të Minoriteteve në Kosovë (ECMI Kosova), Adrian Zeqiri, i cili shpalosi rezultatet e raportit bëri të ditur se për stabilitetin e Republikës së Kosovës është shumë e rëndësishme raportimi dhe ndjekja e këtyre rasteve të raportuara. Ai shtoi se për shkak të natyrës komplekse të incidenteve me motive etnike, ka disa mosmarrëveshje si në numrin e saktë të rasteve të raportuara , ashtu edhe në raportimin e tyre se a kanë qenë ato të motivuara etnikisht a po jo.

“Në njërën anë kemi një tendencë që incidentet paraqiten vetëm si incidente etnike, e në anën tjetër është një tendencë ku elementet etnike minimizohen në raportimin e rasteve”, u shpreh Zeqiri.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Valdet Hoxha u shpreh se numri i rasteve të incidenteve me motive etnike është i vogël, duke theksuar se kjo ndodh falë punës së Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatës, të cilët, sipas tij, kanë bërë një punë të mirë për ta adresuar këtë çështje.

“Edhe ne si politikanë, si nga komuniteti pakicë ashtu edhe nga shumica duhet të jemi të kujdesshëm në retorikën nacionaliste sepse në bazë të disa hulumtimeve dhe të statistikave të cilat i kemi ndodh që incidentet nuk kanë motivim etnik, por prononcimet politike mund të nxisin një pjesë të qytetarëve të cilët mund të kenë informata të mangëta dhe pastaj mund të eskalojë situata dhe kjo mund të ndikojë direkt në rendin dhe sigurinë publike në vend”, u shpreh Hoxha.

Naim Rexha, zëvendësdrejtori përgjithshëm i Policisë së Kosovës, u shpreh se çdo ditë e më shumë ka përmirësim në aspektin e incidenteve etnike. Kurse, Shqipdon Fazliu, Prokuror i Kryeprokurorisë së shtetit theksoi se në vitin 2015 kishte 10 raste të cilësuara si krime të kryera me motive etnike, kurse në gjashtë mujorin e parë të këtij viti vetëm 3 raste të këtyre motiveve.

Ndërkaq sa i përket rezultateve të raportit të shpalosur, sipas Kodit Penal të Kosovës në periudhën e vitit 2015 janë raportuar gjithsej 11 raste, 5 të grumbulluara nga periudha e mëparshme e raportimit, kurse 6 ato gjatë periudhës raportuese. Kurse sipas monitorimit të këtyre incidenteve nga OSBE-ja dhe EULEX-i bëhet e ditur se numri i përgjithshëm i incidenteve të raportuara është 479, pra një numër shumë më i madh në krahasim me atë të raportuara nga institucionet e Kosovës.

Shekulli Agency