Tre shkencëtarë britanikë fitojnë çmimin Nobel në fizikë

Çmimin Nobel për fizikë e fituan tre shkencëtarët britanikë David J. Thouless, F. Duncan M. Haldane dhe J. Michael Kosterlitz

kot-87666Çmimin Nobel për fizikë e fituan tre shkencëtarët britanikë David J. Thouless, F. Duncan M. Haldane dhe J. Michael Kosterlitz.

Komiteti i Nobelit ka deklaruar se si meritor për çmimin në fizikë këtë vit janë konsideruar Thouless, Haldane dhe Kosterlitz, për kontributin e tyre në ndryshimin e fazave topologjike dhe zbulimin teorik të fazave topologjike të materies

Komiteti ka theksuar se gjysma e çmimit i është thënë Thouless, ndërsa gjysma tjetër është ndarë midis Haldane dhe Kosterlitz.

“Fituesit e çmimit të këtij viti hapën dyert e një bote që nuk ishte e njohur, se materiali mund të hyjë në gjendje të ndryshme. Shkencëtarët kanë përdorur metoda të ndryshme matematike për t’i studiuar fazat apo gjendjet e panjohura të materies, siç janë superpërçuesit, superfluidet dhe shtresat e holla magnetike. Në saj të punimeve kryesuese, fazat e reja të materies dhe të panjohura deri më tani u bënë temë studimesh”, thuhet në deklaratën e komitetit.

Shkencëtarëve çmimi do t’u dorëzohet në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që do të mbahet më 10 dhjetor me rastin e përvjetorit të vdekjes së Alfred Nobelit.

Ndërkaq, Komiteti i Nobelit nesër do ta bëjë publik emrin e fituesit të Çmimit Nobel në kimi. Nga ana tjetër, fituesi i çmimit për paqe do të shpallet ditën e premte, ndërsa ai për ekonomi më 10 tetor, ndërsa ende nuk dihet se kur do të jepet Çmimi Nobel për letërsi.

– Çmimi Nobel në fizikë

Çmimi Nobel në fizikë është ndarë 109 herë nga viti 1901 deri në vitin 2015. Fitues të këtij çmimi kanë qenë 201 persona. Nga këto 32 çmime janë ndarë nga dy persona, ndërsa 30 nga tre persona.

John Bardeen, i cili ka fituar këtë çmim në vitet 1965 dhe 1972, është emri i vetëm në histori i cili ka fituar dy herë Çmimin Nobel në fushën e njëjtë, kurse Marie Curie e cila u shpërblye me Çmimin Nobel në vitet 1903 dhe 1911, të parin e fitoi në fizikë, ndërsa të dytin në fushën e kimisë.

Deri më tani, Çmimin Nobel në fizikë e kanë fituar vetëm dy gra, Marie Curie (1903) dhe Maria Goeppert-Mayer (1963).

Shkencëtari më i ri që ka fituar ndonjëherë Çmimin Nobel në fizikë është Lawrence Bragg, edhe atë në moshën 25-vjeçare. Babai i tij William Bragg po ashtu ka qenë fitues i Çmimit Nobel në fizikë në vitin 1915. Bragg ende mban epitetin si fituesi më i ri i Çmimit Nobel.

Nga ana tjetër, shkencëtari më i moshuar që është shpërblyer me Çmimin Nobel në fizikë është Raymond Davis Jr., i cili ishte në moshën 88-vjeçare kur e fizoi çmimin në vitin 2002.

Fituesve të Çmimit Nobel në fizikë u dhurohet medalje që është projektuar nga skulptori dhe skalitësi suedez Erik Lindberg.

– Fituesit e Çmimit Nobel në fizikë që nga viti 2001

2001: Eric Cornell (SHBA), Wolfgang Ketterle (Gjermani), Carl Wieman (SHBA)

2002: Raymond Davis (SHBA), Masatoshi Koshiba (Japoni), Riccardo Giacconi (SHBA)

2003: Alexei Abrikosov (Rusi-SHBA), Vitaly Ginzburg (Rusi), Anthony Leggett (Britani-SHBA)

2004: David J. Gross (SHBA), H. David Politzer (SHBA), Frank Wilczek (SHBA)

2005: Roy J. Glauber (SHBA), John L. Hall (SHBA), Theodor Haensch (Gjermani)

2006: John C. Mather (SHBA), George F. Smoot (SHBA)

2007: Albert Fert (Francë), Peter Grünberg (Gjermani)

2008: Makoto Kobayaşi dhe Toşihide Maskawa (Japoni) dhe Yoichiro Nambu (SHBA)

2009: Charles K. Kao, Willard S. Boyle dhe George E. Smith (SHBA)

2010: Andre Geim (Holandë) dhe Konstantin Novoselov (Britani)

2011: Saul Perlmutter, Brian Schmidt dhe Adam Riess (SHBA)

2012: David Wineland (SHBA) dhe Serge Haroche (Francë)

2013: François Englert (Belgjikë) dhe Peter W. Higgs (Britani)

2014: Isamu Akasaki, Hiroshi Amano dhe Shuji Nakamura (Japoni)

2015: Takaaki Kajita (Japoni) dhe Arthur B. McDonald (Kanada)

Shekulli Agency