MASHT për “hartat e deformuara të Turqisë”: Duhet të largohen menjëherë nga përdorimi

kot-765554Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Republikës së Kosovës, në një njoftim për publikun bën të ditur se hartat në të cilat nuk janë paraqitur kufijtë e saktë të Republikës së Turqisë, nuk kanë autorizimin as për botim e as për shpërndarje nga kjo ministri.

“Hartat janë mjete pune, të cilat mund të sigurohen nga shkolla ose komuna përkatëse. Është qëndrim i yni që të gjitha hartat e tilla duhet të largohen menjëherë nga përdorimi në të gjitha shkollat që i posedojnë ato”, thuhet nga MASHT.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, gjithashtu shpreh keqardhjen për shqetësimet dhe pakënaqësitë e shfaqura lidhur me këtë çështje. “MASHT kërkon nga organet kompetente komunale që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore lidhur me këtë, ndërsa ka autorizuar Inspektoratin e Arsimit, që të mbikëqyrë dhe të raportoj për secilin rast”, thuhet në njoftimin nga MASHT.

Reagojnë shoqatat

Ndaj hartës së deformuar kanë reaguar përfaqësuesit e shoqatave Rumeli në Bursa. Kryetari i Federatës së Shoqatave të Rumelisë (RUMELIFED), Reşat Çimsöken, në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se është e papranueshme në shkollat e Kosovës prania e hartave të përgatitura dhe të shpërndara nga disa persona përçarës në vitin 2005.

“E dimë se kush dhe me çfarë qëllimi i kanë përgatitur ato harta. Atyre personave populli ynë ua dha përgjigjen e duhur pas kryengritjes së 15 korrikut në sheshe dhe rrugë. Presim nga të gjitha shtetet e Ballkanit me në krye Kosovën të mos strehojnë në vendet e tyre FETO-n dhe organizatat e ngjashme”, u shpreh Çimsöken.

Çimsöken përshëndeti ndërhyrjen e drejtorit të shkollës për mbledhjen e hartave, duke vazhduar më tej se Turqia është në mesin e shteteve të para që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Reagimit i është bashkangjitur edhe kryetari i Shoqatës për Bashkëpunim dhe Kontakt të Vazhdueshëm në Ballkan, Ali Sait Adiloğlu, i cili është me origjinë shqiptare nga Gjilani i Kosovës. Ai me këtë rast theksoi se lojërat e këtilla nuk do ta prishin miqësinë mes Turqisë dhe shteteve të Ballkanit.

“Me të kuptuar se Turqinë nuk mundin ta përçajnë nga brenda, organizatat terroriste po përpiqen që përmes këtyre lojërave të na i prishin miqësinë me shtetet e Ballkanit, por nuk do të kenë sukses”, tha Adiloğlu, i cili beson se qeveria e Kosovës nuk do të lejojë që rastet e njëjta të përsëriten dhe që organizatat terroriste që janë armiq të Turqisë të strehohen në shtetin e tyre.

Ndërkohë në këto harta, rajoni i Anadollit Lindor të Turqisë shënohet si “Armenia”, kurse ai i Anadollit Juglindor si “Kurdistan”. Hartat në fjalë shkaktuan reagime në Kosovë dhe jashtë saj, duke përfshirë edhe institucionet e larta shtetërore.

Shekulli Agency