Robert Amsterdam: “SHBA-të do të detyrohen të ekstradojnë Gülenin”

“Unë mendoj se Gülen ka vëllain e tij të madh (abi) i cili e udhëheqë atë”, thotë avokati i kontraktuar nga Turqia, Robert Amsterdam

amsterdam-76555Avokati i kontraktuar nga Turqia për të hetuar Fethullah Gülen dhe aktivitetet e organizatës së tij terroriste FETO, beson se zgjidhja e rastit për ekstradimin e tij do të marrë kohë, por përfundimisht, Washingtoni do të duhet të dorëzojë udhëheqësin terrorist.

“Bindja ime është se në fund SHBA-të do të detyrohen të ekstradojnë Gülenin”, thotë Robert Amsterdam, partner themelues i kompanisë ligjore Amsterdam & Partners LLP.

“Është shumë e rëndësishme për turqit që të kuptojnë se rasti Gülen është shumë i veçant. Kjo është aq e vështirë për perëndimorët që të kuptojnë, prandaj ata duhet të jenë të durueshëm dhe të kuptojnë se kjo merr një periudhë të madhe të kohës, për t’i bindur njerëzit se me të vërtetë organizata Gülen është një organizatë kriminale dhe posaçërisht për terrorin që ka shkaktuar”, tha ai në një intevistë eksluzive për Anadolu Agency (AA) në lidhje me Gülenin dhe FETO-n, të akuzuar për orkestrimin e tentimin të përgjakshëm të grusht shtetit të dështuar.

Tentativa e grusht shtetit të 15 korrikut, e cila pas vetes la 240 dëshmorë dhe rreth 2.200 të plagosur ishte “një akt i pastër i terrorit”, tha Amsterdam që lë të kuptohet se për shkak se Turqia dhe SHBA-të janë nënshkruese të konventave kryesore ndërkombëtare në lidhje me terrorin, kjo mund të hapë rrugën për ekstradimin e Gülenit që të dalë para drejtësisë në Turqi.

Ankaraja në mënyrë të përsëritur ka kërkuar ekstradimin e liderit terrorist nga SHBA, pavarësisht nga traktatit mes dy aleatëve të NATO-s. Pasi që Sekretari Amerikan i Shtetit John Kerry tha se Washingtoni dëshiron të shohë “fakte dhe jo pretendime”, Ankara u përgjigj duke dërguar dy pako të dokumenteve zyrtare për të përmbushur kërkesën e Washingtonit.

“Pra, në fund të fundit, unë jam i bindur se kjo do të përfundoj me sukses, por siç thash, ky është një proces mes dy qeverive. SHBA-të kanë thënë se ata duan qasje konstruktive ndaj çështjes Gülen, dhe unë mendoj se ne duhet të ndjekim këtë shkëmbim diplomatik për të marrë kursin e duhur”, tha ai.

Hetimet e Amsterdamit ndaj Gülenit kanë zbuluar një rrjet të organizatave të lidhura me liderin terrorist dhe administratës së SHBA-ve, ku shkëmbehen paratë për ndikim politik.

“Kjo është një histori tepër e sofistikuar dhe e vështirë që njerëzit ta kuptojnë, se një imam, pa dijeninë e SHBA-ve mund të depërtojë në politikën shtetërore, lokale dhe federale në këtë mënyrë”, shpjegon Amsterdam.

Sipas tij, kjo sinqerisht nuk duket e besueshme. “Unë mendoj se Gülen ka vëllanë e tij të madh (abi) i cili e udhëheqë atë, sepse përndryshe nuk ka kuptim”, tha ai duke përdorur fjalë për të adresuar imamët brenda FETO-s.

“Aktet e mashtrimit”

“Gülen ka qenë i mrekullueshëm në përfitimin nga shkollat çarter, të cilat në SHBA nuk janë të rregulluara. Andaj, ai ka hyrë në këtë sistem në të cilin ka shkolla që merren me një pjesë të asaj me të cilën merret edhe ai, por jo në të njëjtën masë. Ato shkolla tjera ndihmuan lobimin për Gülenin, kështu që ai nuk është i vetëm”, thekson ai.

Amsterdam është i bindur se Güleni merr ndihmë dhe vuri në dukje një rast në shtetin e Indianës, ku hetimi i tij ka gjetur më shumë se 400 anëtarë të qeverisë së atjeshme të cilët kanë shkuar në Turqi në udhëtimet e organizuara nga Gülen. “Kjo është e pabesueshme. Si ai ka arritur të menaxhojë këtë, vërtet është shokuese”, tha ai.

Në një artikull të kohëve të fundit që ai shkroi për revistën Forbes, Amsterdam në mënyrë të detajuar ka paraqitur disa parregullsi financiare brenda rrjeteve të shkollave çarter të Gülenit në Kaliforni, Oklahoma dhe gjetkë.

Avokati për Anadolu Agency tha se rreth 6.000 studentë janë duke ndjekur mësimet në shkollat e Gülenit në të gjithë vendin në shumën prej 500 milionë dollarësh dhe pjesë të këtyre fondeve janë përdorur për përfitime të lëvizjes Gülen.

Ai tha se një nga aktet më flagrante të mashtrimit është kryer me anë të vizës H-1B. “Organizata e tij ka shkelur sistematikisht ligjin e emigracionit të SHBA-ve për mbi një dekadë, penalisht”, tha Amsterdam. Viza e posaçshme është përdorur për ti vendosur shtetasit e huaj në pozicionet e punës që nuk mund të plotësohen nga shtetasit e SHBA-ve.

Pretendohet se FETO ka paguar mësuesit në shkollat e tij deri në 55.000 dollarë në vit, por punonjësit ishin të detyruar të paguanin prej 15 deri 20 përqind të pagave të tyre ndaj Gülenit, tha Amsterdam. “Ky është vetëm fillimi”, thotë ai.

Ai gjithashtu paraqiti një lloj tjetër të veprimtarisë mashtruese në të cilën ishin ngritur kompanitë e para, ku janë përdorur obligacionet detyruese. Në një rast në Teksas, një kompani është ngritur të marrë 18 milionë dollarë nga skemat në kurriz të taksapaguesve.

Përpos shkollave dhe institucioneve të tilla si Fondacioni Rumi, Gülen shihet se synon të ketë qasje gjithashtu edhe në forcat e armatosura të SHBA-ve.

Amsterdam tha se ky grup është duke u përpjekur që të depërtoj edhe ndaj bazave ushtarake. Por, për më shumë informacione, ai nuk pranoi të shkojë më tej, duke thënë se do të flas vetëm për atë që e di dhe nuk dëshiron të bëjë spekulime.

Çdo hetim ndaj organizatës FETO është e komplikuar, si dhe lidhjet e saj me aktorët politik në vend.

“Flamuri i rremë”

Amsterdam, i cili zakonisht është në anën e kundërshtarëve të qeverisë, tha se ai mori këtë rast, sepse konsideronte se Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan dhe qeveria e tij janë në disavantazh, përsa i përket çështjes Gülen në SHBA.

“Konsideroj se Turqia nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë për dekada të tëra dhe nuk e ka marrë respektin që meriton. Unë mendoj se mund të kem një rol që të ndihmoj të drejtën, duke shfaqur rrezikun që paraqet Güleni, të cilën e konsideroj të jetë një flamur i rremë”, ka thënë ai.

Amsterdam mendon se ky ishte një “gabim trashanik” i Washingtonit të zvarrisë dënimin e tij eventual për tentimin e grushtit të shtetit, por ai nuk shpreh të kundërtën e asaj që shumica e turqve besojnë se SHBA-të ishin përfshirë në tentimin e dështuar të grusht shtetit.

“Z. Obama asnjëherë nuk do të ishte përfshirë në mbështetjen e një grusht shteti”, tha ai “Populli turk duhet të kuptojnë, megjithatë, se kjo sjellje nuk është tregues i qasjes amerikane, është tregues i qeverisë që është administrata e Obamës, që përshkruhet me probleme komplekse”, shtoi ai dhe vazhdoi të kritikojë politikat amerikane ndaj Lindjes së Mesme që janë “thellësisht problematike” për kohë të gjatë.

Në javët e ardhshme, ekipi i Amsterdamit planifikon të publikoj rezultatet e një hetimi mbi Gülen në Ohajo dhe Çikago, dhe në fund të shtatorit, do të publikohet një libër ku do të prezantohen detaje të aktiviteteve ndërkombëtare të Gülenit.

“Është shumë e rëndësishme që t’u tregojmë njerëzve në lidhje me mashtrimet e Gülenit, për mënyrën se si kjo organizatë me të vërtetë tradhton parimet e vërteta për të cilat pretendon se i posedon dhe mënyrën se si ka depërtuar në sistemin politik amerikan me një fushatë masive të donatorëve në përpjekje për t’u mos u ndëshkuar për veprimtarinë e saj në SHBA”, thotë Amsterdam.

Shekulli Agency