Komiteti i Jashtëm në PE miraton propozimin për liberalizimin e vizave me Kosovën

Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë në Parlamentin Evropian (PE) ka miratuar propozimin për liberalizimin e vizave me Kosovën, Ukrainën dhe Gjeorgjinë

parlamenti-eropian-327765jpgKomiteti për Marrëdhënie me Jashtë në Parlamentin Evropian (PE) ka miratuar propozimin për liberalizimin e vizave me Kosovën, Ukrainën dhe Gjeorgjinë.

Komiteti për Marrëdhënie me Jashtë i PE-së që u mblodh në Strasburg vlerëson se të tre vendet i kanë plotësuar kushtet e nevojshme për udhëtim pa viza dhe se pritet që së shpejti këto vende t’i bashkangjiten listës së vendeve që udhëtojnë pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian (BE).

Anëtarët e Komitetit ndajnë mendimin se me liberalizimin e vizave për shtetet në fjalë do të forcohen synimet strategjike të Unionit.

Në votimin që u zhvillua në Komitet, Kosova mori 38 vota ‘për’, 7 ‘kundër’, ndërsa 6 anëtarë abstenuan. Sa i përket Ukrainës, 42 vota dolën në favor, 3 kundër, dhe 6 abstenime. Ndërkaq, për Gjeorgjinë 43 ‘për’, 5 ‘kundër’, kurse 3 abstenuan.

Raporti i Komitetit do t’i dërgohet Komitetit për Liri Qytetare pranë PE-së, i cili do të shqyrtohet dhe vlerësohet në muajin shtator. Ndërsa, pritet që vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, Ukrainën dhe Gjeorgjinë të bëhet brenda këtij viti.


Shekulli Agency