MUHAMMEDI A.S.- PEJGAMBER I FUNDIT

kul-111-54-10739403Hallka e fundit e zinxhirit të pejgamberisë është Muhammedi a.s., paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të! Për këtë arsye ai u quajt “vula e pejgamberëve”. Në të vërtetë, ai është udhëheqësi i fundit shpirtëror dhe më i madhi. Pas tij nuk u dërgua më pejgamber, e as që do të dërgohet ndonjëherë.

 

“All-llahu xh sh. Thotë:

  “O ti pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues. Dhe me urdhërin e All-llahut thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar, ndriçues.”

 

                                                                           DRITA E ZOTIT

                                           ” Jam dërguar që ta përkryej moralin fisnik”.(Hadith)

O  rini , gjendesh në botën, e cila ju rrethon me mrekullite e veta të nduarduarta. Në çdo hap ndeshesh me jetën që lind, jeton dhe shuhet. Vdekja, dëshmitar memec i mrekullive, për çdo ditë, në të gjitha format e mundshme afër ose larg kalon pranë teje. Sikur don të ta tërheq vërejtjen në seriozitetin e të gjitha ngjarjeve që ndodhin.

Të ndalohet fryma para qenieve të imëta, që i zbulon me mikroskop, të çudit fluturimi i shpendëve, të mahnit puna e palodhshme dhe frytdhënëse e bletës. Nuk ka fjalë të mjaftueshme që ta shprehësh çudinë tënde para ndërlikueshmërisë së trurit ose nga lënda e pashpjegueshme e syrit të njeriut. Natën persiatë për hapësirat e paskajshme qiellore, kur në qiellin e kthjellët para teje shfaqen yjet e panumërta. Mediton për trupat e shumtë qiellor, të cilët në harmoni të fshehtë saktë e pagabueshëm lundrojnë në gjithësi të mrekulluar. Sigurishtë përpiqesh të hepohesh në hapësira kohore, në hapësira të gjithësisë dhe të gjithë asaj, që gjendet pas tyre. Me siguri do të pyesish: ç’është koha? Prej kur dhe deri kur e gjithë kjo, e tërë kjo jetë që na rrethon? Pyet prej nga vjen ajo dhe ku shkon. Mundohesh të hysh në qenien dhe kuptimin e paskajshmërisë.

Mirëpo, ndalesh, ndalesh ashtu siç do të ndalen edhe shumë të tjerë në të ardhmen. Intelekti njerëzor është ndalur para perdes, që nuk mund të kalohet. Pas saj qëndron fshehtësia (gajbi), muri i përjetshëm memec, heshtja e vazhdueshme.

Me siguri e përjeton vetminë, braktisjen, ndoshta humbjen në padituri e pashtegdalje e në fshehtësitë e pashpjegueshme. Ndoshta të kaplon tmerri në pasigurinë e jetës, para vdekjes së çuditshme dhe pranë varrit të pashmangshëm që si të gjithë njerëzit të tjerë të pret edhe ty…

Megjithatë, duhet ta keshë të ditur, ta keshë të qartë se: askush nuk është i lënë pasdore, askush nuk është i vetmuar, askush nuk është i humbur…

Në të kaluarën e lashtë, shumë të lashtë, që nga koha e njeriut të parë Ademit a.s. dhe gjatë historisë botërore, i Mëshirshmi All-llah xh.sh. Krijuesi i gjithçkasë në mirësin e Tij të pakufishme e dhuroi gjinin njerëzore me Porosine e Vet të Madhe, Mësimin e Madh, në të cilin proklamon fshehtësinë dhe qëllimin e jetës, rrugën e shpëtimit e të lumturisë së amshueshme.

Shpallja e Mësimit zbriti me anë të një varg njerëzish të zgjedhur e të ndershëm, të dërguar të Zotit deri te pejgamberi i fundit Muhammedi a.s. Ai solli Kur’anin, i cili si drita e All-llahut deri në mbarimin e botës do të shndrisë rrugën e gjinisë njerëzore.

Ky lajmë i Madh u shpall në Mekke, në Arabi në vendin e shkretëtirës misterioze, në shekullin 7 -të sipas Isait a.s. Në atë kohë, në Arabi sundonin pasanikët e korruptuar, skllavopronarët, tiranët mendjemëdhenj e fodull. Ata jetonin në mirëqenie e bollëk, ndërsa pjesa dërmuese e popullit vuante në varfëri  të skajshme. Amoraliteti, orgjitë dhe dehja e marrë, ishin bazë e jetës së tyre. Atyre u shërbenin robërit dhe robëreshat, të denigruar në pozitën e shtazëve të dëgjueshme. Paraja zotëronte shpirtin dhe trupin e tyre. Ari ishte bërë objektë i adhuruar dhe e vetmja vlerë e njerëzve. Gënjeshtra, mashtrimi, vjedhja, intrigat, shpifjet, korrupsioni – mbretëronin në atë shoqëri të sëmurë. Mjerimi, uria dhe sëmundjet infektuese e shkatrronin shtresën e varfër. Foshnjat e posalindura të gjinisë femërore varroseshin të gjalla. Çdo gjë njerëzore, çdo gjë fisnike, që e stolisë njeriun si qenie me pozitë të veçantë në botë, ishte pothuaj krejtësisht e mbuluar me velin e harresës. Banorët e Arabisë kishin rënë në shkallën më të ulët të dinjitetit njerëzor. Idhujt e ndërtuar nga gurët sundonin shpirtrat e idhujtarëve.

Retë e errëta dhe të zymta valonin mbi horizontin e njerëzve dhe dëshirave të tyre të mira, virtyteve dhe shtytjeve fisnike. Dhe në këtë kohë të liga e në këto kushte të rënda, u lind në Mekke Muhammedi, i biri i Abdull-llahut, nga soji i Hashimitëve të fisit Kurejsh. Nga ky det të metash e të këqijash, Ai u rrit e u zhvillua, si një rreze drite e rrallë. Përkundër fuqive të errëta dominuese, Muhammedi fisnik, jetonte modest, i mirë, guximtar, i urtë dhe i dashur. Për arsye të tipareve të karakterit të tij e quanin Emin, që do të thotë Besnik, i Besuar, i Ndershëm. Po ashtu Ai u martua me një grua të mirë e fisnike, me Hatixhenë e ndershme.

Kur po i afrohej viteve të dyzeta të jetës, Muhammedi a.s. filloi të jetonte në vetmi, në shpellën e kodrinës Hira, që gjendej afër Mekkes.

Muhammedin a.s. e mundonte e keqja që zotëronte në Mekke dhe në tërë Arabinë. E brengoste shpirtligësia dhe korrupsioni që mbretëronin gjithkund. Ai në kodrën Hira, në qetësinë e shpellës, në vetmin e plotë, gjente prehjen e vet. Me orë të tëra sodiste horizontet e gjëra, kaltrinën e qiellit gjatë ditës dhe shkëlqimin e yjeve në errësirën e natës. Thellohej në shpirtin e natyrës nëpërmjet barit e luleve, nëpërmjet ecjes së thneglave, duke e soditur merimangën që endte pëlhurën e rrjetit të saj, duke e soditur zogun në fluturim. Muhammedi a.s. filloi gradualisht t’i afrohej të vërtetës, të cilin ende nuk e njihte dhe të cilën ende nuk mund ta kuptonte. Shpirti i Tij i madh dhe fisnik përgaditej që të pranonte njohuri të gjëra, Dije të sigurt, zbulimin e perdes nga fshehtësitë e mëdha. Kjo ishte dëshira e All-llahut xh.sh.

Dhe një natë, në vigjilje të ditës së njëzet e shtatë të muajit Ramazan, para Muhammedit a.s. që meditonte i thelluar në mendime të thella, përnjëherë vetoi drita, u shndrit shpella… Muhammedi a.s. u dridh, ngriti duart që t’i mbulojë sytë. Drita u shndërrua në person, që Muhammedit a.s. do t’i thotë qartë:” O Muhammed, i biri i Abdull-llahut! Unë jam meleku Xhibril po të sjellë nga All-llahu, Zot i Gjithësisë, lajmin e gëzueshëm se Je i zgjedhur pejgamber i All-llahut.

Engjëlli pastaj i tregoi Muhammedit a.s. se si duhet të marrë abdest. Pastaj e ftonë të mësojë, por kur Muhammedi a.s. përgjigjet se nuk di, ftesa e Xhibrilit përsëritet, e Muhammedi u përgjigj përsëri se nuk di. Kjo u përsërit tri herë. Pastaj Xhibrili filloi të flasë:

                      “Me emrin e All-llahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

                        Lexo, me emrin e Zotit tënd, i cili krijoi (çdo gjë).

                        Krijoi njeriun prej  gjaku të ngjizur ( në mitrën nënës).

                        Lexo! Se Zoti yt është më bujari! Ai që mësoi (njeriun) të shkruaj me pend.

                        I mësoi njeriut atë që nuk dinte.”

 

Drita e Xhibrilit filloi ngadal të shuhet, kurse figura zhdukej lehtë e qetë. Muhammedin a.s. e kishte kapluar një dridhje, gjendej në ethe të çuditshme, ndaj nga shpella shpejtoi në shtëpi, që lajmin e Madh e të shqetësuar ta ndajë me gruan besnike Hatixhen. Hatixheja në çastin e parë u brengos shumë, duke parë bashkëshortin e saj të shqetësuar dhe të mbushur frymë. Mirëpo, kur Muhammedi a.s. tregoi se ç’kishte dëgjuar, Hatixheja u gëzua tepër, e kënaqur nga mëshira e madhe që e kishte ndriçuar Muhammedin a.s. e mirë dhe fisnik. Ajo asnjë fije nuk dyshoi në vërtetësinë e Lajmit të madh. Hatixheja e dinte se ç’zemër të madhe e të mrekullueshme kishte Muhammedi a.s. dhe se ç’virtyte të shkëlqyeshme e stolisnin atë. Muhammedi a.s. vërtetë posedonte të gjitha epitetet që të dhurohej me emrin Pejgamber. Mu për këtë, Hatixheja e përgëzoi Muhammedin a.s.:” Pasha atë Zot, në fuqinë e të cilit ekziston jeta ime, unë jam plotësisht e bindur se Ti me të vërtetë ke fituar shpalljen dhe je bërë pejgamber i Zotit”. Dhe kështu, Muhammedi a.s. në Hatixhenë gjeti ithtaren e parë besnike, muslimanen e parë të periudhës së re.

Ngjarja në shpellën Hira e kishte pushtuar plotësisht Muhamedin a.s., ndaj Ai ishte ekzaltuar nga ajo flakë.

“Në emër të All-llahut mëso… Në emër të All-llahut mëso… tingëllonte ky zë në veshët e Muhammedit a.s. Fjala e Zotit e kishte pushtuar tërë qenien e Tij. Muhammedi a.s. jetën e vet ia kushtoi misionit të shenjtë. Lajmin e gëzueshëm në zemrën e tij besnike e pranoi me qëllim fisnik që t’ai shpall gjinis njerëzore. Fjala dhe porosia e All-llahut nga zemra e Muhammedit a.s. filloi të transmetohet në zemrat  e njerëzve të mirë: të Aliut të ndershëm, të Ebu Bekrit të mirë, të Bilallit fisnik… Besimi në All-llahun si dritë e mrekulluar, filloi të zhdavaris errësirën e idhujtaris. Islami filloi të përhapet, por në mënyrë sekrete, fshehurazi, pothuaj në formë pëshpëritjeje. Me ditë e natë të tëra vijimishtë, me javë e muaj pandërprerë transmetohej Porosia e Shenjtë nëpër katakombe, nëpër sheshe, nëpër shkretëtira dhe nëpër oaza.

Nga zemra në zemër, si lumë i kthjellët rridhnin fjalët e Mëdha. Muhammedi a.s. predikon fenë e pastër, besimin në një Zot. Porositë se nuk ka zot tjetër, përveç All-llahut xh.sh., porositë njerëzit të jenë vëllezër, të sillen mirë ndaj prindërve dhe të afërmve të tyre, të jenë të virtytshëm, të ndershëm, fisnik, modestë, trima dhe krenarë.

Dhe kështu njeriun e shndriti drita e Mësimit të All-llahut, drita e Njohurisë së sigurt. E vërteta e fjalëve të All-llahut depërtoi në zemrat e njerëzve. Drita e All-llahut shndriti shpirtat e njerëzve

All-llahu fletë nëpërmjetë Kur’anit, i fton njerëzit në rrugën e shpëtimit. A thua e dëgjojnë njerëzit zërin e së Vërtetës së sigurt? Shkenca Islamike pyet, engjëjt pyesin, madje edhe e tërë natyra pyet:

“ O njeri, a dëshiron t’i shtrish duart kah paqja, kah Shpëtimi dhe kah Lumturia? A don të përpiqesh të bëhesh plotësisht njeri i drejtë? A don ta begatosh jetën me qëllim dhe kuptim që çojnë përtej vdekjes dhe arrijnë në përheshmërin? A dëshiron të arijsh shkallën më të lartë të përsosmërisë shpirtërore?

O njeri, ty që All-llahu xh.sh. të krijoi në trajtën më të bukur, që të ka nënshtruar çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë, duke të caktuar zëvendës të Vet në Tokë, që të frymëzoi me Frymën e Vet, në të cilin ka besim të madh thuaj: A do t’i përgjigjesh thirrjes së Zotit?

O njeri! Drita e All-llahut ta zbuloi kuptimin e ekzistencës, të udhëzoi në Njohuri të Sigurta, t’i ndriçoi fshehtësitë e Mëdha, të mësoi të jeshë përherë i lumtur! E për të qenë gjithmonë i lumtur, për të arritur qetësinë absolute, njeriu doemos duhet të orvatet ta përsos shpirtin e vet, që të ngritet në shkallët më të larta shpirtërore. Si të arrihen këto vlera dëshmon Islami:

 

Pasha njeriun dhe Atë që e krijoi atë! Dhe ia mësoi se cilat janë të këqijat dhe të mirat e tij. Pra, ka shpëtuar ai që e pastroi vetveten. E ka dështuar ai që e poshtëroi vetveten.”(91:7-10).

 

Muhammedi a.s. është dëshmitari më i madh i Lartëmadhërisë së All-llahut xh.sh., mirësisë dhe udhëzimit të Zotit që bota e ka parë ndonjëherë. Njerëzve të drejtë dhe atyre që bëjnë vepra të mira ai ua solli sihariqin e shpëtimit dhe fatmirësisë, ai është bartësi i lajmëve të reja. Ai i “shkundi” të pakujdesshmit dhe ata që ishin në gjumë të rëndë, zërin e vet e bëri  të qartë për të shurdhërit, ua tërhoqi vërejtjen me butësi duke ua treguar mëkatin dhe rebelimin që do t’i shpienin në një përfundim të keq. Qartë ua tregoi paqen (shpëtimin) prej rrugës së fatkeqësisë së madhe. Duke i thirrë njerëzit të besojnë vetëm në një Zot, në mirësi, në të vërtetën dhe virtytin, qartë mund të përfundojmë se ai është një thirrës, një pishtar që ndiçon errësirën e thellë dhe drita e të cilit është e mirëseardhur dhe e dobishme deri në amshim.

Të përmendim se disa pejgamberë kanë poseduar disa karakteristika që përputheshin me kohën dhe shoqërinë të cilës i janë dërguar. Muhammedi a.s. i posedonte të gjitha këto karakteristika. Jeta e tij është përplot me atribute të tilla, morali i tij ka qenë i zbukuaruar me këso virtytesh. Me Muhammedin a.s., pejgamberia mori fund: Feja të cilën e predikoi ai i përfshiu në vete të gjitha fetë. Pas Islamit, i cili ngërthen parime të shumta që njerëzimit ia përmbushin nevojat e kësaj dhe të botës së përhershme, asnjë fe tjetër nuk është lëshuar nga qielli në zemrat e njerëzve. Feja dhe parimet që Muhammedi a.s. ua përcolli njerëzve ka vleshmërinë e përhershme. Islami është fe e gjithë njerëzimit dhe do të ekzistojë deri në fund të kësaj bote.

Muhammedi a.s. e mori mbi vete këtë detyrë të madhe, në kohën kur njerëzit filluan të vetëdijësohen, kur u përhap të shkruarit dhe kur banorët e kontinenteve të botës së Vjetër filluan të zgjohen dhe ta njohin njëri – tjetrin. Kjo fe u përhap në udhëkryqin e këtyre kontinenteve. Me këtë, koha e pejgamberisë për një kohë dhe vend të caktuar përfundoi, dhe kjo detyrë iu besua Muhammed Mustafasë, Pejgamberit të fundit deri në Ditën e Kijametit.

Shekulli Agency