Maqedoni, Kushtetuesja ndërpret të gjitha veprimet zgjedhore

gjykat-kushtetuese-maqGjykata Kushtetuese në seancën e sotme njëzëri vendosi që të ngre procedurë për vlerësimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë së vendimit për shpërndarjen e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë dhe miratoi vendim të përkohshëm me të cilin ndërpriten të gjitha veprimet zgjedhore.

Vendimi i Gjykatës do të publikohet sot në Gazetën Zyrtare, pas çka edhe formalisht hyn në fuqi. Gjykata javën e ardhshme duhet të sjell vendim përfundimtar meritor për nismën e shpërndarjes së Parlamentit.

Kjo nismë u dorëzua nga deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Talat Xhaferi, për të cilën nga Gjykata Kushtetuese theksojnë se ka elemente tërësisht të reja dhe se për këtë lëndë ka analizë të re.

Gjykatësit kushtetues gjatë muajit shkurt të këtij viti diskutuan dhe e hodhën poshtë nismën e deputetit Pavle Trajanov nga Lidhja Demokratike dhe të Todor Petrov nga Kongresi Botëror Maqedonas, për anulimin e shpërndarjes së Parlamentit.

Ndryshe, Parlamenti i Maqedonisë më 24 prill njëherë anuloi zgjedhjet për shkak të, siç thuhej, mospërmbushjes së kushteve për zgjedhje kredibile, më pas të njëjtat u dakorduan që të mbahen me 5 qershor.

Mirëpo partia më e madhe opozitare maqedonase Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), si dhe partitë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) nuk dorëzuan listat e kandidatëve për deputetë në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), për arsye të njëjta sikur që u anulua data për zgjedhjet e 24 prillit. E vetmja parti e cila dorëzoi listat deri te KSHZ-ja është VMRO-DPMNE-ja në pushtet.

Shekulli Agency