Faton Fazliu: “Ra ky sukses e u pamë”

faton-fazliu-45444Kur ndërtohej opozita shqiptare, ata i mbyllnin sytë dhe thoshin se nuk ka opozitë shqiptare, duke aluduar se patjetër duhet mbështetur BDI, Kur nuk kishte forcë që e mund BDI-në, ata qaheshin se BDI’ja është e fortë dhe së nuk ka opozitë, ndërsa kur sot i mobilizon 30 mijë njerëz kundër saj, kapen për cikërrima dhe e harrojnë ketë fakt, Kur disa krerë të partive opozitare përdornin shpifjet e BDI’së dhe PDSH’së ndaj BESËS, ata bëheshin të shurdhtë,
Kur zhvilloheshin bisedime për koordinim të zërit opozitar, thoshin se opozita duhet të bashkohet se ndryshe fiton BDI’ja, E kur katër parti opozitare u bashkuan në një deklaratë të përbashkët, ata vazhdonin të thoshin se bashkimi ende nuk është realizuar;
Kur njëra parti opozitare shpalli protestë të veten, ata i ndihmuan asaj dhe na akuzuan ne se nuk e mbështetim; E kur ne e mbështetëm atë dhe madje ishim të pranishëm, por nuk u turrëm të dalim në rrënd të parë dhe ta marrim fjalën dhunshëm, askush nuk e zuri në gojë këtë,
Kur u iniciua Këshillin Opozitar e BESA dhe PPD’ja u bënë anëtarë të saj, ata na tallnin dhe na thoshin se po ndihmojmë “struktura paralele”, Kur Këshilli Opozitar ftoi për protestë, asnjë parti që nuk është anëtare e Këshillit Opozitar, nuk e mbështeti “protestën e Këshillit Opozitar”, por mbështetja ishte përgjithësuese “e mbështesim secilën protestë shqiptare”; E kur Këshilli Opozitar e bëri protokollin që fjalë të kenë vetëm anëtaret e Këshillit, rrjedhimisht edhe Lëvizja BESA, u çartën duke akuzuar se BESA abuzon me Këshillin.
Unë e kuptoj se të gjitha duan të jenë pjesë e suksesit të Protestës Shqiptare me 30-mijë shqiptarë të organizuar më 9 Maj, por ju lutem të keni mirësinë dhe të jeni korrekt. Respektoni të tjerët që t’u respektojnë. Nëse nuk e njeh Këshillin Opozitar, si pretendon të marësh fjalë në tubimin e tij? Nëse nuk e njeh organizatorin e tubimit, si ia lejon vetes të ngjitesh dhunshëm në skenë që të marësh fjalë? Nëse nuk e njeh organizatorin e tubimit, a nuk është provokim i sigurimit të tij kur tenton ti’a ndryshosh protokollin dhunshëm?
Tash kur u dëshmua se në Maqedoni ka opozitë që mund ta fitoj BDI’’në, Tash kur u dëshmua se Këshilli Opozitar ka qenë mjet i mirë për organizimin dhe koordinimin e opozitës shqiptare, Tash kur u dëshmua se opozita mund të bashkohet, Tash kur u dëshmua se fitorja po vjen, Ata në vend që t’i gëzohen kësaj dhe ta kultivojnë këtë, vazhdojnë të vjellin vrer ndaj Këshillit Opozitar dhe ndaj Lëvizjes BESA dhe kështu përsëri ta dërgojnë ujin në mullirin e BDI’së. Ata, në vend që të flasin për tablon e madhe, se më në fund u krijua një forcë që e mund BDI’në, pra në vend që të flasin për pikturën e bukur të 30 mijë shqiptarëve me flamurë kombëtar, flasin për vrimën e gozhdës ku është varur ajo, pra për çështje të sigurimit – që është krejt e parëndësishme kundrejt këtij suksesi.
Prandaj sinqerisht më vjen ti pyes: “Ç’far ishte e rëndësishme për ju më 9 Maj? Që po përmbyset regjimi i BDI’së apo cikërrimat e egove tuaja?”. Nëse është kjo e dyta, ju qoftë për nder, por ne nuk kemi kohë të merremi me egot narcisoide. Karvani duhet të ec patjetër! Regjimi antishqiptar i BDI’së duhet të përmbyset. Meqë do të donim që këtë ta bëjmë bashkë, edhe një herë i ftojmë të gjithë të rreshtohen me ne në Këshillin Opozitar.
Sidoqoftë, më 9 Maj shqiptarët dëshmuan se janë pjekur mjaftueshëm që ta dallojnë opozitën shqiptare. Prandaj ju faleminderit të gjithëve. Edhe atyre që na mbështesin në këtë rrugë, edhe atyre që na sabotojnë dhe pastaj vijnë e dalin në rresht të parë dhunshëm, madje edhe atyre që na shpifin (sepse falë tyre e dimë se jemi në rrugë të drejt), edhe atyre që shesin kopalla “analitike” se “duhej të ishte kështu ose ashtu”, por edhe atyre që na kundërshtojnë dhe provokojnë që të na nënçmojnë dhe poshtërojnë. Kështu secili e tregon fytyrën e tij të vërtetë. Kadareja do të thoshte “Ra ky mort e u pamë”, ndërsa ne themi “Ra ky sukses e u pamë”.
Rruga jonë nuk është nisur nga prirje biznesi, as nga urrejtje patologjike, as për hakmarrje personale, as për protagonizëm, as për prepotencë. Ne jemi thellë të bindur se jemi në rrugë të drejtë, sepse i besojmë idealit se ne duhet të sakrifikojmë për shqiptarin e Maqedonisë dhe të mos e lëmë fatin shqiptar në dorë të maskarenjëve. Me këtë nuk bëjmë kompromis. Pavarësisht a na kuptojnë të tjerët apo jo”, ka shkruar zëdhenësi i Lëvizjes Besa, Faton Fazliu.
Shekulli Agency