Fenomeni politik “Sali Berisha”, një shembull i keq për politikën shqiptare!

enis-700x380-700x380Shkruan: Enis Baftijari

Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke iu drejtuar qytetarëve nga foltorja e Kuvendit, i porositi ato që të armatosen kundër qeverisë aktuale të cilën e klasifikoi si “qeveri kriminele”.

Ajo që duhet të na brengosë nga ky fjalim i Sali Berishës, nuk është mesazhi i tij për t’u armatosur, sepse këtë askush nuk e merr me seriozitet, por duhet të na brengosë fakti që edhe pas 25 viteve të demokracisë shqiptare ende nuk janë pjekur kushtet për një politikëbërje demokratike, për një mendësi politike që do t’i zgjidh mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe me kompromis, dhe për një mendësi politike që do të përjashtojë dhunën nga agjenda politike.

Nëse e interpretojmë këtë deklaratë si bindje individuale apo shprehje të lirë të z. Berisha, atëherë kjo nuk nënkupton asgjë më tepër se një tentim i dështuar për të ringjallur karrierën e tij politike të vdekur, ose tentativë për të tërhequr vëmendjen kah vetja dhe për t’u dëshmuar si “hero” i Partisë Demokratike. Por, nëse këtë deklaratë e interpretojmë si një shembull që përfaqëson mendësinë politike shqiptare, atëherë kjo duhet të jetë shqetësuese. Për këtë qëllim e ceka në mënyrë metaforike “fenomenin politik të Sali Berishës”, sepse është një shembull tipik i mendësisë së vjetër destruktive të politikëbërjes shqiptare, por nuk është vetëm ky, kemi me bollëk edhe shumë “Salia” të tjerë në skenën politike shqiptare, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë dhe në Maqedoni.

Rasti i Sali Berishës është shembull i një politikani shqiptar të klasës së vjetër, i cili në konstruktin e tij mental nuk i ka pranuar parimet dhe vlerat e mirëfillta demokratike, edhe pse tërë kohën thirret në to. Më vjen keq që po e ceki vetëm z. Berisha, sepse ka edhe shumë të tjerë si ky, por këtë po e mar si shembull të brezit që përfaqëson, dhe si më i theksuari gjatë këtyre 25 viteve të pluralizmit shqiptar.

Me këtë veprim Sali Berisha tregoi se dëshpërimin nga dështimin e tij personal, dëshiron që t’ia imponojë edhe shtetit dhe tërë popullit si dështim kolektiv. Në mendësinë e politikanit shqiptar ende nuk mund të ekzistojë parimi i “dorëheqjes”. Berisha mendon se me dështimin e tij ka dështuar tërë Shqipëria. Mirëpo “garda e vjetër” e politikanëve duhet ta kuptojë se ka ardhur gjeneratë e re, me mendësi të re, me ideja të reja, e cila është më dinamike, progresive, dhe europiane.

Më vjen keq që demokracia e brishtë shqiptare ende nuk po mundet të konsolidohet dhe të jetë e pavarur për t’i zgjidhur problemet me kompromis, pa ndërhyrjen e faktorëve të jashtëm dhe pa kërcënime për përdorim të dhunës, apo për bllokim të institucioneve.

Pse Sali Berisha ende nuk e pranon faktin se i ka humbur zgjedhjet dhe se tani rradhën e ka tjetërkush ta dëshmojë veten në qeverisje. A ende nuk i është kënaqur egoja, me gjithë faktin se pothuajse gjatë tërë periudhës së pluralizmit në Shqipëri ka qenë udhëheqës i saj, qoftë si president, apo si kryeministër!

Ndjej keqardhje që ende nuk janë krijuar rrethanat për ndërrimin e garniturave qeveritare në mënyrë dinjitoze, ku humbësi do ta pranonte disfatën në zgjedhje, dhe gjatë kohës së kaluar në opozitë të konkurojë me projekte dhe të jetë një korigjues i denjë për pushtetin, deri në çastin kur votuesit do t’ua besojnë përsëri qeverisjen e vendit përmes zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike. Por për fat të keq, jemi dëshmitarë që ende opozita shqiptare, (si kjo aktualja apo edhe ish opozita që tani është në pozitë), tenton  për ta rrëzuar pushtetin përmes protestave dhe mundohet që në çdo rast të diskreditojë rezultatet e zgjedhjeve. Patëm ngjarjet e përgjakshme të “janarit” kur pozita aktuale, në atë kohë opozitë, u mundua të rrënojë qeverinë përmes protestave. Ndërsa tani kemi rastin që këtë fenomen ta shohim me opozitën aktuale, e cila fton në protesta për ta rëzuar qeverinë dhe kërkon krijimin e qeverisë teknike për të organizuar zgjedhje të besueshme, me këtë nënkuptojmë se ata nuk i pranojnë rezultatet e zgjedhjeve të fundit. Mendoj se këto kërkesa nuk kanë bazë dhe nuk janë të qëndrueshme në një kohë kur qeveria aktuale pritet mirë në qarqet diplomatike dhe i kushtohet vëmendje, për dallim nga qeveria e Gruevskit, me të cilën nëse e krahasojmë, na del se kjo e fundit është e izoluar diplomatikisht dhe është jashtë vëmendjes së agjendave të takimeve të liderëve botërorë. Gjithashtu këto kërkesa nuk kanë as mbështetje të argumenteve të forta të cilat do t’i justifikonin ato, siç është rasti në Maqedoni ku opozita doli me argumente bindëse për keqpërdorimet e pushtetit.

Këtë nuk e them për të mbrojtur qeverinë aktuale në Shqipëri, por për të mbrojtur parimet e demokracisë liberale dhe vlerave perëndimore të qeverisjes së mirë, ku elita politike do të duhej t’i vendosë interesat shtetërore dhe kombëtare para interesave personale, grupore apo partiake, si dhe të përvetësojë parimet e dialogut demokratik dhe zgjidhjes së problemeve përmes kompromisit.

Këto ngjarje dëshmojnë se në politikën shqiptare mbisundon interesi personal, grupor ose partiak mbi interesat kombëtare dhe shtetërore. Tani kjo po dëshmohet përsëri me rastin e nevojës së implementimit të reformës në drejtësi, e cila ka nevojë për ndryshime kushtetuese, për të cilat nevojiten dy të tretat e votave në Kuvend. Kjo reformë është kusht për vazhdimin e procesit të integrimeve evropiane të Shqiperisë për t’i hapur negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa opozita aktuale po e keqpërdorë pozitën e saj për pikë të politikës ditore dhe e bllokon reformën, por në dëm të interesave shtetërore. Njëjtë sikur në kohën kur qeveria aktuale ishte në opozitë, dhe pengonte miratimin e tre ligjeve që i kërkonte BE-ja si kusht për Shqipërinë për të fituar statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Partitë politike dhe politikanët shqiptarë ende nuk mund ta tejkalojnë vetveten dhe ta lënë anash egoizmin, inatin dhe inferioritetin e tyre, në mënyrë që këto t’i zëvendësojnë me frymën bashkëpunuese dhe konstruktive. Kjo do të thotë se atëherë ata do t’i vendosin interesat e shtetit dhe të popullit mbi interesat e tyre personale apo partiake, dhe kështu do të fitonin të gjithë sepse mbi të gjitha do të fitonte Shqipëria dhe shqipëtarët. Por, ja që sot kemi një situatë ku partitë shqiptare mundohen me çdo kusht të (keq)përdorin pozitën e tyre për të dëmtuar rivalin politik edhe me çmimin e dëmtimit të interesave shtetërore.

Elita politike shqiptare duhet ta kuptojë se nuk jemi më në situatë sikur në vitet e ’90-ta, kur pushteti fitohej përmes dhunës dhe demonstratave. Tani jemi në një situatë krejtësisht të ndryshme, kur kemi arritur që Shqipërinë ta anëtarësojmë në NATO dhe është rrugës për anëtarësim të plotë në BE. Tani jemi para një momenti delikat, me ç’rast klasa e vjetër e politikanëve duhet t’ia lirojë vendin një brezi të ri të politikanëve të edukuar në frymën e vlerave demokratike dhe europiane, përndryshe Shqipëria dhe shqipëtarët do të vazhdojnë të sillen në labirintin e mendësisë ballkanike. Ose do të europianizohemi ose do të ngelim të ballkanizuar!

Shekulli Agency