Dita e turqve të Kosovës, 23 Prilli kremtohet në Prizren

23 prilli, Dita e Turqve të Kosovës është shënuar sonte në Prizren me një program të pasur kulturor dhe artistik

kurtulmus-prizren-453323 prilli, Dita e Turqve të Kosovës është shënuar sonte në Prizren me një program të pasur kulturor dhe artistik, i cili filloi me intonimin e himneve të Kosovës dhe Turqisë, si dhe leximin e mesazhit të urimit nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan për Ministrin e Administratës Publike të Kosovës, njëherësh edhe kryetari i Partisë Demokratike Turke në Kosovë, Mahir Yagcilar.

Këtë festë e kanë bërë edhe më të madhe prezenca e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, zëvendëskryeministrit të Turqisë Numan Kurtulmush dhe delegacionit të tij i cili për dy ditë ka qëndruar në Kosovë, pastaj edhe prezenca e ambasadores se Turqisë në Kosovë, Kivilcim Kilic, ministrave të qeverisë të Kosovës, përfaqësuesve të Bashkësisë Islame të Kosovës, shumë personalitet të tjera të jetës politike dhe komunitetit turk të Kosovës.

Në fjalimin e tij, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka uruar komunitetin turk në Kosovë për festën e tyre duke i falënderuar për angazhimin dhe përpjekjet e tyre për të ndërtuar Kosovën e re dhe demokratike, si shoqëri ku të gjitha komunitetet jetojnë në harmoni. Ai ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë duke e vlerësuar jashtëzakonisht ndihmën dhe përkrahjen e këtij shteti mik ne çdo faze të historisë së Kosovës.

Nga ana tjetër zëvendëskryeministri i Turqisë Numan Kurtulmush, në fjalimin e tij tha se sot gjendet këtu vetëm për të treguar se janë bashkë me turqit e Kosovës dhe për ta treguar miqësinë dhe vëllezërinë të këtyre dy popujve. Duke theksuar se për Turqinë edhe Kosova edhe turqit e Kosovës kanë një vlerë të veçantë, Kurtulmush tha se ‘’23 prilli 1920 është dita e sovranitetit kombëtar. Pas shpërbërjës së Perëndorisë Osmane dhe Luftës së Parë Botërore, populli i Turqisë është ngritur sërish jo permës pushkës por me punë dhe mund”.

Kurtulmush u shpreh se turqit e Kosovës, të cilët janë komuniteti më i integruar ne shoqërinë kosovare, kurrë më nuk do të përleshen dhe krijojnë armiqësi me popuj tjerë në keto treva, por do të jetojnë në paqe dhe mirëqenje.

‘’Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Turqisë nuk janë të reja. Kemi lidhje 523 vjeçare. Gjatë kësaj periudhe, turqit e Kosovës, shqiptarët, boshnjakët dhe grupet tjera etnika kanë jetuar të bashkuar dhe vëllazëruar. Një shekull më parë, paraardhësit tanë Osman ishin detyruar ti braktisin këto troje. Gjatë kësaj kohe kemi dhe keni përjetuar shumë vuajtje. Tash, pas një shekulli, mbaroi malli dhe Kosova e Turqia u miqësuan sërish’’, tha zëvendëskryeministri Kurtulmush, dhe shtoi se Turqia me të gjtiha institucionet e veta do t’i ndihmojë Kosovës që të ngritet dhe të zhvillohet.

Ndërkohë, pas fjalimit të tij, ai u nderua me një pllaketë nga Ministri i Administratës Publike njëherësh edhe kryetar i Partisë Demokratike Turke në Kosovë, Mahir Yagcilar.

/AA/

Shekulli Agency