Kriza e refugjatëve – Evropa lavdëron Turqinë dhe pohon dështimin e saj

Doris Fiala: “Turqia ka bërë gjëra shumë të rëndësishme për emigrantët. Ata, të cilët kritikojnë Turqinë këtu, s’kanë arritur dot suksese të ngjashme në vendet e tyre”, tha ajo në formë kritike për vendet e Bashkimit Evropian.

asambleja-euroAsambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (PACE) shqyrtoi të mërkurën marrëveshjen për refugjatët, arritur ndërmjet Turqisë dhe Bashkimit Evropian më 18 mars.

PACE-ja miratoi tri raporte të hartuara nga Komiteti për Emigracionin, Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur.

Deputetja gjermane, Anette Groth, njëherësh raportuese e Këshillit të Evropës për Emigracionin, Refugjatët dhe Personat e Zhvendosur, theksoi gjatë fjalimit të saj se Turqia, Jordania dhe Libani u kanë hapur portat e tyre refugjatëve duke shfaqur një vetëmohim të jashtëzakonshëm.

“Ato çfarë këto vende kanë bërë për refugjatët e shtyjnë Evropën drejt një situate të turpshme. Nga aspekti moral, Evropa formoi një terren shumë të keq në krizën e refugjatëve”, tha ajo.

Teksa miratoi një rezolutë të veçantë në bazë të një raporti nga Annette Groth, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës bëri thirrje për mbrojtje ndërkombëtare për refugjatët sirianë, qoftë përmes ndihmave të posaçme për vendet fqinje, qoftë me “rrugë humanitare”, si rivendosja dhe bashkimi familjar, që do të lejonte hyrjen e sigurt të një numri të konsiderueshëm refugjatësh sirianë.

Kurse raportuesja holandeze, Tineke Strik, autore e raportit me titull “Situata e refugjatëve dhe e emigrantëve në kuadër të Marrëveshjes Turqi-BE”, tërhoqi vëmendjen se ndonëse është dhënë premtimi për 22 mijë persona, vetëm 4 mijë azilkërkues janë vendosur në Evropë.

“Mungon solidariteti i mjaftueshëm në politikën e rivendosjes dhe nuk po mbahen premtimet e bëra”, u shpreh raportuesja Strik.

Eurodeputeti austriak, Stefan Schennach, i cili mbajti një fjalim në emër të grupit socialist, deklaroi se vendet evropiane nuk janë në gjendje të presin refugjatë.

“Çështja e emigrantëve, e refugjatëve dhe e azilkërkuesve është plotësisht një falimentim i Evropës. Këtu nuk kanë ardhur as 10% e njerëzve të detyruar që të mërgojnë nga Siria dhe vendet evropiane nuk janë në gjendje të presin refugjatët e ardhur”, nënvizoi ai.

Ndërsa deputetja zvicerane, Doris Fiala, pohoi se Evropa nuk ka arritur dot të jetë kaq e suksesshme sa Turqia.

“Turqia ka bërë gjëra shumë të rëndësishme për emigrantët. Ata, të cilët kritikojnë Turqinë këtu, s’kanë arritur dot suksese të ngjashme në vendet e tyre”, tha ajo në formë kritike për vendet e Bashkimit Evropian.

Doris Fiala theksoi se Turqia ka bërë punë të mëdha në lidhje me krizën e refugjatëve.

“Duhet ta respektojmë këtë gjë. Në Evropën e madhe nuk shoh as suksesin më të vogël për sa i takon ndarjes së barrës”, përfundoi deputetja zvicerane.

/TRT/

Shekulli Agency